
Shkruan: Tefik Salihu
Të lindur e të formuar si futbollistë në Zvicër, por me origjinë kosovare, disa, tani, bartin fanelën e kombëtares së këtij shteti, e disa të tjerë, kanë vendosur të mbrojnë ngjyrat e shtetit të origjinës-Kosovës. Ata do të përballen, sonte, mes vete, në një ndeshje speciale, për herë të parë. Në “Nati”-in e Zvicrës luajnë të paktën tre futbollistë me rrënjë nga Kosova, kurse më shumë se kaq futbollistë të Kosovës, janë lindur ose rritur në Zvicër.
Zvicra me “kosovarë” kundër Kosovës me “zviceranë”
Dueli miqësor midis Zvicrës dhe Kosovës, siҫ shkruan Le Matin, nuk po shihet si të tjerat, për shkak të rrethanave dhe historisë së fundit. Dy vendet kanë një histori që i lidh (Zvicra ishte një nga shtetet e para që e njohu Kosovën, në vitin 2008) dhe futbollistët që i mishërojnë ato përmes dy kombëtareve.
Drejtuesi zviceran i lojës, Xherdan Shaqiri, ka thënë se kjo lojë është speciale dhe emocionale. Edhe Murat Yakin, trajner i Kombëtares së Zvicrës, ka pohuar se do të ketë shumë emocione. Poashtu, mbrojtësi i krahut i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, i cili ka qenë pjesë e grupmoshave të reja tek përfaqësuesja e Zvicrës, para se të vendoste ta përfaqësojë Kosovën, ka thënë se ky duel është i veҫantë. Edhe për trajnerin e Kosovës, Alain Giresse, kjo miqësore ka përbrenda emocionet e saj, duke pasur parasysh se disa futbollistë që luajnë te Kosova janë lindur e rritur në Zvicër, derisa disa lojtarë të Zvicrës kanë origjinë nga Kosova.
Simbioza Kosovë-Zvicër
Federata Zvicerane e Futbollit ka vënë në dispozicion mbi 20 mijë bileta dhe që të gjitha janë shitur. Por, edhe zgjedhja e Cyrihut mbetet e rëndësishme dhe ndoshta nuk është as e rastësishme, duke pasur parasysh komunitetin e madh me origjinë kosovare që banon në atë rajon.
Përveç kësaj, qindra mijëra kosovarë që bëjnë jetën e tyre në Zvicër, kanë krijuar lidhje të forta me të dhe vlerat e saj. Ata kanë migruar këtu në periudha të ndryshme kohore, për arsye politike, apo në kërkim të një jete më të mirë. Poaq të lidhur me shtetin helvetik janë edhe familjarët e mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në Kosovë, apo gjetiu.

Foto: Albswiss. Sheshi Micheline Calmy Rey, në Viti, në Juglindje të Kosovës, si nderim dhe falënderim për Zvicrën dhe zviceranët.
Kështu kosovarët i kanë edhe dy kombëtare në futboll, si sporti më i popullarizuar që është. Kur helvetikët luajnë kundër ndonjë kombëtareje tjetër, kosovarët pashmanghëm janë me ta. Këtë simbiozë e kanë ngjizur së pari fëmijët e emigrantëve kosovarë, Milaim Rama, Valon Behrami, Granit Xhaka e Xherdan Shqaqiri, të cilë janë meritorë për zhvillimin e kombëtares helvetike por edhe për ngritjen dhe popullarizimin e saj gjithandej, e sidomos tek shqiptarët.
Dy palë “ethe“
Mirëpo, kur në pyetje janë Dardanët, atëherë gjërat paksa ndryshojnë. Edhe kosovarët që jetojnë të integruar mirë në Zvicër, por edhe ata që jetojnë në Kosovë, sonte, duhet t’i kenë dy palë “ethe”, ndonëse është vetëm një lojë miqësore. Në raste të tilla, sallonet e tyre, pashmangshëm janë të dekoruar me flamujt e rekuizita të të dyja vendeve.
Sigurisht, nga natyra, do të jetë një lojë paksa e ndryshme, e cila lirisht mund të quhet edhe “vëllazërore”, sepse Zvicra me “kosovarë” do të përballet kundër Kosovës me “zviceranë”. Kështu, zemra do të na dridhet dy herë më shumë./albswiss.com/





