Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se autoritetet përkatëse kanë filluar inspektimin në terren, pasi në Kosovë sot pati sërish rritje të çmimit të naftës, shkruan Gazeta Express.
“Sot në mëngjes ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës. Paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi lenë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit. Autoritetet po inspektojnë në terren. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i inkurajon qytetarët të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem”, thuhet në njoftim.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të lajmërojnë për shkeljet eventuale.
Pas një ulje para pak ditësh, sërish është rritur çmimi i naftës. Prej 1.59 centë për një litër, çmimi i naftës është rritur në 1.69 centë për litër.





