Nga e premtja Zvicra do t’i jep fund të gjitha kufizimeve shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë, Alain Berset, tha sot, në Bernë, se pas dy vitesh krize, realisht kishte ardhur koha për të hequr të gjitha masat. Çuditërisht dhe pavarësisht një rikthimi të rasteve dhe shtrimeve në spital në mars, ai njoftoi se Këshilli Federal po i jepte fund kufizimeve të fundit anti-Covid në Zvicër, që nga e premtja. Kjo nënkupton heqjen e izolimit të detyrueshëm për personat e infektuar dhe braktisjen e mbajtjes së maskave në transportin publik dhe institucionet shëndetësore.
Për qeverinë, pra, është një “kthim në gjendjen normale”. Prandaj, kantonet marrin edhe një herë përgjegjësinë kryesore për masat për mbrojtjen e popullsisë.
Konfederata ka hartuar një dokument që përcakton objektivat dhe shpërndarjen e detyrave gjatë fazës së tranzicionit, i cili është objekt konsultimi deri më 22 prill 2022.
Për sa i përket certifikatave, ato mund të rifuten në nivel kombëtar vetëm nëse Këshilli Federal i kthehet situatës së veçantë. Megjithatë, ligji Covid-19 ende lejon lëshimin e certifikatave, veçanërisht për udhëtime jashtë vendit kur është e nevojshme.
Testet për personat që kanë simptoma mbeten të mbështetura nga Konfederata, nënvizoi Alain Berset. Aplikacioni SwissCovid gjithashtu do të çaktivizohet përkohësisht. Megjithatë, mund të vihet sërish në shërbim shpejt nëse e kërkon situata epidemiologjike. Të dhënat e përdoruesit të ruajtura në sistemet federale do të fshihen. /Le Matin/





