Aktori amerikan, Will Smith, ka dhënë dorëheqje nga Akademia Oscars pasi goditi me shuplakë komedianin Chris Rock gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Oscars që u mbajt të dielën e kaluar.
“Veprimet e mia në edicionin e 94-të të Çmimeve Oscars ishin shokuese, të dhimbshme dhe të pafalshme”, tha aktori përmes një deklarate.
Akademia tha se ka pranuar dorëheqjen e tij dhe do të vazhdojë të “lëvizë përpara” me procedurat disiplinore.
Smith e goditi me shuplakë komedianin Rock pasi ky i fundit bëri një shaka për kokën e rruar të gruas së aktorit, Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga alopecia.
Disa minuta më vonë ai fitoi çmimin për aktorin më të mirë në rolin e tij në filmin King Richard, ku Smith portretizoi babanë e tenisteve Venus dhe Serena Williams.





