Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i cili e kishte vlerësuar normale ikjen e mjekëve, pasi siç kishte thënë mjekët ikin edhe nga Gjermania.
Këtë deklaratë Bislimi i kishte dhënë gjatë një raportimi në Komisionin për Integrimeve Evropiane.
Oda e Mjekëve deklaron se të thuhet që mjekët kosovarë po ikin në Gjermani pasi ata të Gjermanisë po ikin nga vendi i tyre, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute në të cilën funksionojnë mjekët e Kosovës.
“Oda e Mjekëve të Kosovës shpreh zhgënjimin ndaj deklaratave të zv. kryeministrit, Besnik Bislimi i cili në takim me komisionin përgjegjës parlamentar ka bërë krahasimin e mjekëve kosovarë më mjekë gjermanë. Një krahasim i tillë, po të ishte real për nga arsyet, do të ishte vlerësues para së gjithash për sistemin shëndetësor të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në reagim. /Telegrafi/





