KOSTT-i para kolapsit financiar, s’ka para për ta paguar rrymën në veri të Kosovës

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Kompania publike Operator, Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) është para kolapsit financiar, për shkak të kostos së lartë për pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe, në veri të Kosovës.

KOSTT, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, për janar dhe shkurt, ka paguar rreth 13 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga qytetarët serbë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Derisa, sa i përket muajit mars, kostoja financiare pritet të jetë dukshëm më e lartë se e muajit paraprak. Kostoja totale financiare për pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 ishte rreth 41 milionë euro dhe  se si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës, si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar.

Teksa thekson se nuk ka më buxhet për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në atë pjesë të vendit.

“Në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, aktualisht për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me marrëveshjen e kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe gjithsesi paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese. Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës, si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar. Për të gjitha devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv evropian, si për humbjet e veriut, ashtu edhe për devijimet e shkaktuara nga palët e treta, faturohet KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Krahas kësaj, Rama ka treguar për gjendjen e rëndë financiare në KOSTT dhe për shumën e mjeteve që ka paguar kjo kompani më 2021 dhe në muajt e parë të këtij viti për rrymën veri.

Gjithashtu, KOSTT ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht të largojë nga licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, obligimin e mbulimit të humbjeve në katër komunat veriore të Kosovës ose të gjejë një mekanizëm tjetër të mbulimit të kësaj kostoje.

Kjo kompani ka kërkuar nga institucionet relevante që urgjentisht të adresohet situata e furnizimit me energji elektrike të pjesës veriore të Kosovës, si dhe nga palët e kyçura në sistemin e transmetimit, të cilat nuk kanë kryer obligimet financiare ndaj KOSTT që të shlyejnë këto obligime.

Për gjendjen e rëndë financiare në KOSTT, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë nuk janë përgjigjur për KosovaPress.

Kurse, opozita kritikon qeverinë dhe partinë në pushtet për gjendjen e krijuar në KOSTT, pas rekomandimit parlamentar për pagimin e rrymës në veri.

Më 6 maj 2021, me 61 vota pro, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi lidhur me kërkesën e kompanisë KOSTT për të siguruar 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës. Ndër rekomandime ishte që Qeveria e Kosovës obligohej të gjente zgjidhje brenda afatit 6-mujor për të shtrirë sistemin e faturimit në komunat veriore.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img