Lamtumirë, miku i madh i shqptarëve – Basil Schader

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Prof. Dr. Dr. Basil Schader (1951–2026) ishte një ndër personalitetet më të shquara evropiane që kontribuoi në studimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e arsimit plotësues në diasporë.

Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Dr. Basil Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Në çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas brezi.

Mesazhi i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare. Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të shumëgjuhësisë.

Kontributi i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”, ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë shqiptare në diasporë.

Përveç botimeve dhe përkthimeve të shumta nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas, profesor Schader u dallua edhe për angazhimin e tij në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë. Ai bashkëudhëhoqi seminare, konferenca dhe projekte të rëndësishme arsimore për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe të didaktikës bashkëkohore.

Veçanërisht i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Për veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Figura e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik.

Lamtumira ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri i BasilSchader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar kudo në botë.

 

Gjenevë, 14, 05. 2026                  Nexhmije Mehmetaj

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img