Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, si me rastin e protestës së parë të studentëve shqiptarë, të mbajtur në Shkup me 6 prill të vitit 2026, ashtu edhe me rastin e protestës së dytë të studentëve shqiptarë, të mbajtur në Shkup me 18 maj 2026, me letër zyrtare ka alarmuar NATO-n dhe Bashkimin Europian (BE-në) se studentët shqiptarë, sipas tij të mbështetur nga partia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI-a), po e rrezikojnë paqen në Maqedoni.
Kështu, Hristjan Mickovski pasi që ai vetë dhe partia e tij e VMRO-së në pushtet shtrojnë kërkesa për cungimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, duke i detyruar kësisoj studentët shqiptarë të protestojnë në rrugë, ai në mënyrën më demagogjike, me ironike dhe cinike, alarmon NATO-në dhe BE-në sikur gjoja shqiptarët po e rrezikojnë paqen në Maqedoni!
Por, të gjithë ata që kanë dy sy për të pa, dy vesh për të dëgjuar dhe dy fije mend për të menduar, është e qartë se paqen në Maqedoninë e Veriut ka dy vite që e rrezikon vetë Kryeministri Mickoski dhe partia e tij e VMRO-së në pushtet, duke iu shkelur shqiptarëve deri me të tani disa të drejta themelore, të cilët ata një ditë do të detyrohen që t`i realizojnë me pushkë ne dorë si në vitin 2001, gjë s`ishte dashur të ndodh.
Por, s`ka faj Mickoski që vetë i dëmton e vetë i akuzon shqiptarët se po e rrezikojnë paqen në Maqedoni, përderisa politikanët dhe intelektualët shqiptarë në Maqedoni si ata në radhët e partive, ashtu edhe ata jashtë partive, nuk iu shkruajnë letra NATO-së, BE-së, KE-së, Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për t`i njoftuar dhe alarmuar këto subjekte ndërkombëtare se paqen në Maqedonin e Veriut e rrezikon Kristjan Mickoski dhe partia e tij.
Historia ka treguar se kur heshtin të shtypurit fitojnë shtypësit!; Se kur heshtin të pafajshmit fitojnë të fajshmit!; Se kur heshtin të kriminalizuarit fitojnë kriminelët; Se kur hesht S(VLENI) bën dasmë me të drejtat e shqiptarëve VMRO-DPMN-hi!; Se kur heshtin Bilalli dhe Izeti luan e bën qejf me të drejtat e shqiptareve edhe dreqi! Kështu ka qenë gjithmonë…
Institucioneve të lartpërmendura ndërkombëtare mund t`u dërgoj letra secili shqiptar pa marr parasysh nëse është ose jo politikan partiak. Në mesin e shqiptarëve në Maqedoni janë së pakut dhjetë analistë politik, të cilët sipas vlerësimit tim janë mjaftueshëm kompetent për t`iu dërguar letra institucioneve ndërkombëtare të përmendura më lartë: për t`i informuar ato lidhur me përpjekjet e Kristjan Mickoskit dhe të partisë së tij të VMRO-së në pushtet, për mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në Maqedoni, duke e rrezikuar kësisoj seriozisht paqen në këtë vend.
Duke pasur parasysh sa u tha më lartë kam vendosur që lidhur me veprimet antishqiptare të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Kristjan Mickoskit dhe të partisë së tij të VMRO-së në pushtet, t`u shkruaj letra institucioneve ndërkombëtare të përmendura më lart, ashtu thjeshtë si njeri, si qytetar dhe si shqiptar.





