DREJTËSI DHE MBËSHTETJE PËR TË MBIJETUARIT E DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS NË KOSOVË

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, mbrëmë në Gjenevë u mbajt një konferencë kushtuar ndërgjegjësimit, drejtësisë dhe mbështetjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Konferenca mblodhi përfaqësues institucionesh, aktivistë, profesionistë të shëndetit mendor, studentë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke krijuar një hapësirë reflektimi mbi një nga plagët më të rënda të luftës.

Punimet e kësaj konference u zhvilluan në lokalet Ecole de Bosson – Aula në ONEX të Gjenevës, i cili ishte organizuar nga nisma “Zëri i Gruas LIRA”, në mbështetje të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë. Shoqata Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës dhe platforma e-drejtajote.ch ishin poashtu mbështetës i këtij aktiviteti.

Në prani të shumë pjesëmarrësve, konferencën e hapi përfaqësuesja e studentëve shqiptarë në Gjenevë, Elda Gashi, e cila falënderoi Znj. Linda Rexhaj dhe nismën Zëri i gruas Lira si dhe Konsullatën e përjigjithëshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë për mbështetjen e këtij angazhimin në trajtimin e një teme që, sipas saj, kërkon solidaritet, ndjeshmëri dhe bashkim të të gjithë faktorëve shoqërorë shqiptar.

Floreta Kabashi – Ademaj: “Të mbijetuarit u shndërruan në zëra të së vërtetës dhe drejtësisë”

Në fjalën e saj përshëndetëse, udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Zonja, Floreta Kabashi – Ademaj, tha se Kosova e njeh nga afër peshën e dhunës seksuale gjatë luftës dhe pasojat që ajo ka lënë tek mijëra familje. Ajo theksoi se dhuna seksuale është një nga format më mizore të dhunës që njeh njerëzimi dhe kujtoi se gjatë luftës në Kosovë ajo u përdor sistematikisht si armë lufte.

“Për shumë vite kjo plagë mbeti e heshtur për shkak të frikës, stigmës dhe mungesës së hapësirës për të folur. Megjithatë, të mbijetuarit nuk u dorëzuan. Përkundrazi, u shndërruan në zëra të fuqishëm të së vërtetës dhe drejtësisë”, tha ajo. Kabashi vlerësoi veçanërisht kontributin e Vasfije Krasniqi-Godman, gruas së parë që foli publikisht për përvojën e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se guximi i saj i dha zë mijëra viktimave dhe krijoi një moment të ri në shoqërinë kosovare.

Ajo shprehu gjithashtu mirënjohje për punën e Feride Rushitit dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm të organizatës “Zëri i Gruas LIRA” në ngritjen e vetëdijes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Linda Rexhaj – Maliqi:  Zëri i të mbijetuarve dëgjohet më fuqishëm se kurrë

Duke hapur panelin e diskutimit, Linda Rexhaj – Maliqi, organizatorja e kësaj mbrëmje, kujtoi se për vite të tëra pas luftës të mbijetuarit jetuan në heshtje, duke bartur jo vetëm plagët e traumës, por edhe barrën e paragjykimeve dhe stigmatizimit.

“Falë guximit të tyre, falë angazhimit të shoqërisë civile dhe punës së palodhshme të aktivistëve, sot zëri i tyre dëgjohet më fuqishëm se kurrë më parë”, tha ajo.

Para hapjes së panelit, organizatorja theksoi se kjo temë duhet trajtuar në kontekstin e së drejtës penale ndërkombëtare dhe jo vetëm si një pasojë tragjike e luftës.

“Dhuna seksuale në luftë nuk është pasojë e rastësishme apo e pashmangshme e konflikteve”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se në të drejtën penale ndërkombëtare dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale mund të kualifikohen si krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe, në rrethana të caktuara, edhe si pjesë e krimit të gjenocidit.

Ajo rikujtoi se gjatë luftës në Kosovë, dhuna seksuale u përdor si instrument terrori, nënshtrimi dhe shkatërrimi të komunitetit shqiptar.

Organizatorja vuri në pah se, edhe pas më shumë se 25 vjetësh, numri i personave të dënuar për këto krime mbetet shumë i ulët. Duke iu referuar parimeve të së drejtës penale ndërkombëtare, ajo theksoi se përgjegjësia penale nuk bie vetëm mbi autorët e drejtpërdrejtë, por edhe mbi ata që urdhëruan, planifikuan, ndihmuan ose dështuan të parandalonin kryerjen e krimeve.

Vasfije Krasniqi-Godman: E kuptova se heshtja nuk po na sillte drejtësi

Një nga momentet më prekëse të konferencës ishte dëshmia e zonjës, Vasfije Krasniqi-Godman. Ajo tregoi rrugëtimin e saj drejt daljes publike në vitin 2018, kur vendosi të fliste hapur për përvojën e saj.

Kam qenë e vendosur që zëri im të mos mbetej vetëm një histori personale, por të bëhej zë për të gjithë ata që nuk kishin mundësi ose forcë të flisnin. E kuptova se heshtja nuk po na sillte drejtësi, tha ajo. Krasniqi-Godman nënvizoi se vendimi për të folur publikisht nuk ishte i lehtë, por ishte një obligim moral ndaj mijëra të mbijetuarve që vazhdonin të jetonin në heshtje.

Lufta jonë nuk është vetëm për njohje, por edhe për drejtësi, dinjitet dhe respekt për secilin të mbijetuar. Ajo ndau edhe përvojat e komunikimit me të mbijetuar të tjerë, duke theksuar se dëgjimi pa paragjykim dhe mbështetja njerëzore mbeten thelbësore.

Ka ende shumë viktima që nuk dinë ku të drejtohen. Prandaj puna jonë duhet të vazhdojë. Asnjë viktimë nuk duhet të ndihet e braktisur apo e harruar.  Zonja, Vasfije Krasniqi-Godman theksoi se dalja e saj publike nuk kishte për qëllim vetëm rrëfimin e një historie personale, por përfaqësimin e mijëra grave dhe burrave që për vite me radhë kishin jetuar në heshtje me plagët e luftës.

Ajo tha se heshtja nuk sjell drejtësi dhe se vetëm duke folur hapur mund të thyhen stigma dhe paragjykimet që kanë rënduar mbi të mbijetuarit për më shumë se dy dekada. Zëri im është zëri i atyre që ende nuk mund të flasin. Drejtësia, dinjiteti dhe e vërteta janë të drejta që u takojnë të gjithë të mbijetuarve, u shpreh ajo, duke bërë thirrje që asnjë viktimë të mos ndihet e vetmuar apo e harruar në rrugëtimin e saj drejt shërimit dhe drejtësisë.

Feride Rushiti: Trauma nuk ka afat

Në fjalën e saj, zonja, Feride Rushiti solli një perspektivë profesionale dhe njerëzore të punës me të mbijetuarit që nga ditët e para të pasluftës. Ajo kujtoi takimet me gratë dhe vajzat e zhvendosura gjatë luftës, të cilat bartnin plagë të thella fizike dhe shpirtërore.

Heshtja e tyre ishte shpesh më e rëndë se çdo fjalë,” tha zonja Rushiti.  Ajo shpjegoi se rehabilitimi nuk mund të kufizohej vetëm në trajtimin mjekësor, por kërkonte një qasje gjithëpërfshirëse psikologjike, sociale dhe ligjore.  “Besimi ishte hapi i parë drejt shërimit. Duhej të krijonim një ambient ku ato të ndiheshin të respektuara, të dëgjuara dhe të mbrojtura.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të saj iu kushtua fushatës “Trauma nuk ka afat”. Askush nuk mund të përcaktojë se kur një grua apo një burrë do të jetë emocionalisht i gatshëm të flasë për atë që ka përjetuar. Për disa mund të duhen vite, për të tjerë dekada. Znj, Rushiti theksoi se e drejta për reparacion dhe njohje nuk duhet të kufizohet nga afate administrative, sepse trauma nuk funksionon sipas kalendarëve institucionalë.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe dokumentimit të së vërtetës historike. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Shqipe Shehu-Brovina: “Shërimi fillon kur viktima kupton se përgjegjësia nuk është e saj”

Psikiatreja dhe psikoterapeutja Zonja, Shqipe Shehu – Brovina foli për pasojat afatgjata psikologjike të dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas saj, trauma prek jo vetëm individin, por edhe familjen, marrëdhëniet shoqërore dhe vetëvlerësimin e personit. Shumë të mbijetuar kanë jetuar për vite të tëra me ndjenja frike, turpi, faji dhe izolimi. Ajo theksoi se pasojat e kësaj forme dhune nuk përfundojnë me mbarimin e konfliktit, por vazhdojnë të ndikojnë në jetën e viktimave për shumë vite, madje edhe për dekada.

Përmes punës së saj profesionale, ajo ka kontribuar në rehabilitimin psikologjik të qindra të mbijetuarve, duke ndihmuar në rikthimin e besimit, vetëvlerësimit dhe dinjitetit të tyre. Sipas saj, procesi i shërimit fillon atëherë kur viktima çlirohet nga ndjenja e fajit dhe kupton se përgjegjësia për krimin i takon vetëm autorit. Ajo vlerësoi se krijimi i një mjedisi të sigurt, pa paragjykime dhe me mbështetje profesionale, mbetet kusht themelor për rehabilitimin e plotë të të mbijetuarve.

Një nga padrejtësitë më të mëdha ka qenë fakti që shumë viktima janë ndjerë si bartëse të një stigme, në vend që të trajtohen si viktima të një krimi. Shërimi fillon kur i mbijetuari kupton se përgjegjësia nuk është e tij. Përgjegjësia i takon autorit të krimit dhe askujt tjetër.

Sipas saj, rehabilitimi kërkon jo vetëm trajtim profesional, por edhe mbështetje shoqërore dhe rikthim të dinjitetit.

Leonora Selmani:  Në qendër të çdo procedure duhet të jetë viktima

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Zonja, Leonora Selmani, foli për sfidat e procesit të njohjes institucionale. Ajo tha se krijimi i mekanizmit ligjor ishte rezultat i përpjekjeve të gjata të institucioneve, shoqërisë civile dhe vetë të mbijetuarve.

Një nga parimet themelore ka qenë ruajtja e konfidencialitetit dhe mbrojtja e identitetit të të mbijetuarve. Zonja, Selmani theksoi se, pavarësisht progresit të arritur, stigma vazhdon të mbetet një pengesë serioze.

Ka persona që edhe pas më shumë se dy dekadash nuk i kanë treguar askujt për përvojën e tyre. Prandaj askush nuk duhet të detyrohet të aplikojë. Vendimi duhet të mbetet gjithmonë i viktimës. Ajo shtoi se qëllimi kryesor është krijimi i një mjedisi ku secili i mbijetuar të ndihet i sigurt dhe i respektuar.

Në qendër të çdo procedure duhet të jetë viktima dhe dinjiteti i saj.

Krimet e luftës dhe elementet e gjenocidit

Gjatë konferencës, shkrimtari dhe njohësi i së drejtës ndërkombëtare Bardhyl Mahmuti trajtoi aspektin juridik të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke sqaruar dallimet ndërmjet krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare dhunën seksuale gjatë konflikteve të armatosura e ka njohur dhe sanksionuar si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit, duke e konsideruar atë një nga format më të rënda të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Zotëri Mahmuti vuri në dukje se në rastin e Kosovës, dhuna seksuale nuk ishte rezultat i veprimeve të izoluara individuale, por pjesë e një politike të paramenduar dhe sistematike të ushtruar nga forcat serbe ndaj popullsisë shqiptare. Sipas tij, përdorimi i dhunës seksuale si instrument terrori, poshtërimi dhe shkatërrimi i identitetit kolektiv të një komuniteti përmban elemente që tejkalojnë përkufizimin klasik të krimit të luftës.

Kur dhuna ushtrohet në mënyrë të organizuar, sistematike dhe me qëllim të goditjes së një grupi të caktuar etnik, siç ndodhi me shqiptarët e Kosovës, ajo merr përmasa që lidhen me logjikën gjenocidare, theksoi Mahmuti. Ai shtoi se dokumentimi i këtyre krimeve dhe insistimi për drejtësi nuk është vetëm detyrim ndaj viktimave, por edhe një domosdoshmëri për ruajtjen e së vërtetës historike dhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla në të ardhmen.

Diskutim i hapur me publikun

Pas përfundimit të panelit, konferenca vazhdoi me një sesion pyetjesh dhe diskutimi me të pranishmit. Gazetari dhe krijuesi Arif Ejupi duke shpalosur dhunën sistematike të ish pushtuesit serbë u ndalë edhe tek puna e Këshillit për të Drejtën e Njeriut i cili gjatë periudhës së okupimit kishte qëndruar përherë së bashku me viktimat dhe mbrojtjen e tyre. Ai duke shpjeguar keqtrajtimet brutale të përjetuara nga regjimi okupues tha se heroi im sot është Zahir Pajaziti dhe Vafije Krasniqi  – Godman ku me këtë rast solli emocione dhe lot tek të pranishmit.

Pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar në Zvicër, studentë, aktivistë dhe përfaqësues institucionesh ngritën pyetje mbi sfidat e drejtësisë për krimet e luftës, mbështetjen psikologjike afatgjatë, qasjen e të mbijetuarve që jetojnë në diasporë dhe mënyrat për të luftuar stigmën që ende vazhdon të ekzistojë.

Panelistet theksuan se drejtësia mbetet një proces i papërfunduar dhe se shoqëria duhet të vazhdojë të krijojë hapësira të sigurta për të dëgjuar rrëfimet e të mbijetuarve. U diskutua gjithashtu për rëndësinë e edukimit të brezave të rinj dhe ruajtjes së kujtesës historike, në mënyrë që krime të tilla të mos harrohen dhe të mos përsëriten kurrë.

Mesazhi i konferencës

Në përmbyllje, pjesëmarrësit përcollën një mesazh të përbashkët se historia e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës dhe nuk mund të mbetet më në heshtje.

Konferenca theksoi se drejtësia nuk përfundon me njohjen e statusit apo me mbështetjen institucionale. Ajo kërkon dokumentimin e së vërtetës, llogaridhënie për krimet e kryera, mbështetje të vazhdueshme për të mbijetuarit dhe luftë të pandërprerë kundër stigmatizimit.

Në fjalën përmbyllëse, organizatorja e konferencës dhe udhëheqësja e organizatës “Zëri i Gruas LIRA”, Linda Rexhaj – Maliqi e cila në mënyrë të shkëlqyeshme drejtoi këtë konferencë, falënderoi panelistet, pjesëmarrësit dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti.

Ajo theksoi se interesimi i madh dhe mesazhet e fuqishme të përcjella gjatë konferencës dëshmojnë nevojën që tema të tilla të vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të hapur dhe të përgjegjshme.

Dhe në fund mesazhi kryesor i kësaj konference ishte se kujtesa, dinjiteti dhe drejtësia duhet të ecin së bashku. Të mbijetuarit nuk kërkojnë mëshirë, por respekt, njohje dhe drejtësi. Shoqëria ka detyrimin moral dhe institucional të dëgjojë zërin e tyre, të ruajë të vërtetën historike dhe të ndërtojë një të ardhme ku dinjiteti njerëzor mbrohet pa kompromis.

Vetëm duke dëgjuar, duke mbështetur dhe duke qëndruar pranë atyre që patën guximin të flasin  por edhe atyre që ende nuk janë gati ta bëjnë këtë – mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më humane dhe më e përgjegjshme ndaj së kaluarës së saj./Alb’swiss TV/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img