Kompanitë ajrore do të detyrohen të transmetojnë të dhënat e udhëtarëve për të gjitha fluturimet nga dhe drejt Zvicrës. Synimi është identifikimi i personave të dyshuar për terrorizëm dhe krime të rënda.
Nga 1 shkurti 2027, të dhënat e udhëtarëve që fluturojnë nga ose drejt Zvicrës do të kontrollohen nga një njësi e posaçme pranë Policisë Federale zvicerane (fedpol).
Masa prek të gjithë pasagjerët e linjave ajrore ndërkombëtare, përfshirë edhe mijëra shqiptarë që udhëtojnë rregullisht mes Zvicrës dhe Kosovës, Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut.
Ligji për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave të pasagjerëve ajrorë ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2026, njofton Këshilli Federal. Njësia e re, e njohur si PIU (Passenger Information Unit), do të nisë aktivitetin më 1 shkurt 2027.
Çfarë të dhënash do të kontrollohen?
Sipas ligjit të ri, kompanitë ajrore duhet t’ia përcjellin PIU-së të dhënat e pasagjerëve për të gjitha fluturimet ndërkombëtare, si në drejtim të Zvicrës, ashtu edhe nga Zvicra drejt vendeve të tjera.
Të dhënat do të krahasohen me informacionet që gjenden në sistemet policore. Qëllimi është identifikimi i personave të dyshuar për terrorizëm ose përfshirje në krime të rënda, mundësisht para nisjes së fluturimit apo hyrjes në territorin zviceran.
Kompanitë ajrore do të kenë gjithashtu detyrimin t’i informojnë pasagjerët për transmetimin e të dhënave te fedpol-i, bazën ligjore të këtij procesi dhe të drejtën e tyre për të kërkuar informacione.
Njësia e re do të nisë me kapacitete të kufizuara
Sistemi nuk do të funksionojë menjëherë me kapacitet të plotë. Gjatë vitit 2027, PIU do të fillojë punën me tetë punonjës dhe do të zgjerojë gradualisht aktivitetin.
Në fazën fillestare, funksionimi do të varet nga orari i punës, numri i kompanive ajrore të lidhura me sistemin dhe sasia e të dhënave që do të përpunohen.
Sipas Këshillit Federal, qasjen në këto informacione do ta kenë vetëm punonjësit e autorizuar të njësisë PIU. Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave do të bëhen në përputhje me dispozitat ligjore.
Mbi 70 shtete zbatojnë kontrolle të ngjashme
Zvicra po ndjek shembullin e më shumë se 70 shteteve që tashmë mbledhin dhe analizojnë të dhënat e pasagjerëve ajrorë. Në mesin e tyre janë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Sipas fedpol-it, përvoja ndërkombëtare tregon se këto sisteme mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë në terrorizëm dhe krime të rënda.
Zvicra dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar gjithashtu një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave të pasagjerëve. Këshilli Federal synon që marrëveshja të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.
Për udhëtarët, kjo do të thotë se të dhënat e rezervimit dhe të udhëtimit do t’i nënshtrohen një kontrolli të ri në kuadër të masave zvicerane për sigurinë ajrore.





