Dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në Zvicër: KMSHZ-ja zhvillon takim të rëndësishëm në Lozanë

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), Fehim ef. Abazi, i shoqëruar nga mr. Rijad ef. Aliu, anëtar i Kryesisë së KMSHZ-së dhe përgjegjës për Zvicrën frankofone, zhvilloi në Lozanë një takim me Prof. Dr. Barbara Hallensleben dhe z. Karl Hans Heinrich Weber. Takimi kishte për qëllim vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërfetar, ndërkomunitar dhe akademik në Zvicër.

Prof. Dr. Barbara Hallensleben është profesoreshë e njohur ndërkombëtarisht në fushën e Dogmatikës dhe Teologjisë së Ekumenizmit në Universitetin e Fribourg-ut. Ndërsa z. Karl Hans Heinrich Weber, specialist në fushën e teknikës dhe informatikës, ka një karrierë të gjatë në Ushtrinë Zvicerane dhe në shërbimin federal. Që nga viti 2018, ai është angazhuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve. Ai është gjithashtu bashkëpunëtor dhe përkrahës i vazhdueshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe imami Azir ef. Aziri, nga Xhamia IKRE në Thun.

Ky ishte takimi i dytë me Prof. Dr. Barbara Hallensleben, me të cilën KMSHZ-ja ka nisur një proces të rëndësishëm bashkëpunimi. Bisedimet shërbyen për të vazhduar diskutimet e mëparshme dhe për të konkretizuar ide e nisma të përbashkëta, të cilat synojnë të kontribuojnë në të mirën e komuniteteve fetare dhe të shoqërisë zvicerane në përgjithësi.

Gjatë një bisede të gjatë dhe konstruktive, pjesëmarrësit diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushën e dialogut ndërfetar, komunikimit ndërmjet komuniteteve, si dhe krijimit të urave të bashkëpunimit me institucionet universitare dhe organet përkatëse shtetërore në Zvicër.

Vëmendje e veçantë iu kushtua hartimit të planeve dhe programeve të përbashkëta, identifikimit të fushave me interes të ndërsjellë dhe realizimit të projekteve që do t’u shërbejnë anëtarëve të komuniteteve, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për ta avancuar më tej këtë bashkëpunim, duke u mbështetur në parimet e mirëbesimit, sinqeritetit, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Vlerësimi i përbashkët ishte se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe traditave të ndryshme fetare janë të domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie të hapur, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.

Me këtë rast, kryetari i KMSHZ-së, Fehim ef. Abazi, shprehu mirënjohjen e veçantë për Prof. Dr. Barbara Hallensleben, për gatishmërinë, angazhimin dhe kontributin e saj akademik në avancimin e dialogut ndërfetar.

Njëkohësisht, ai falënderoi z. Karl Hans Heinrich Weber për përkrahjen e vazhdueshme, angazhimin dhe mbështetjen e çmuar ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër.

Mirënjohje iu shpreh edhe profesorëve, akademikëve dhe personaliteteve të tjera, të cilët kanë dëshmuar gatishmëri për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me komunitetin shqiptar mysliman në Zvicër.

Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër mbetet i përkushtuar që, përmes dialogut, bashkëpunimit institucional dhe partneriteteve të qëndrueshme, të japë kontributin e tij në forcimin e mirëkuptimit ndërfetar, bashkëjetesës dhe harmonisë në shoqërinë zvicerane.

Takimi përfundoi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, me zotimin e përbashkët për vazhdimin e kontakteve dhe konkretizimin e nismave të diskutuara./Alb’swiss TV/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img