Në dy takime të ndara këtë vikend, LDK- ja dhe PDK-ja kanë mbledhur simpatizantët e tyre. E para LDK, në qytetin e Oltenit dhe e dyta PDK në Aargau.
Por, ajo që bie në sy ishte prania më e madhe e simpatizantëve te Lumir Abdixhiku se sa te Ragip Xhaka.
“Ishte vërtetë madhështore!

Turneu i Ndryshimit këtë të diel u mbajt në qytetin e Oltenit, në Zvicër. Aty u pritëm nga bashkatdhetarët tanë, që në gjithë energjinë e flaktë që kishin, na mbushën zemrat plot!
Ndryshimi po vjen!”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.
“LDK-ja, si bartëse e së djathtës, po i bashkon shqiptarët brenda vendit e në mërgatë, në rrugëtimin e ri historik që i duhet Republikës së Kosovës! Larg popullizmit, larg propagandës, larg izolimit e larg përçarjes! Mërgata jonë po flet qartë. Dhe në tubim, dhe në angazhim, dhe në kryengritjen e djathtë të madhe!”, ka vazhduar kreu i LDK-së.
Kurse, Xhaka nga ana tjetër ka thënë se takimi në Birr të Aargaut forcon lidhjet me atdheun.

“Sot zhvilluam një takim të veçantë me bashkëatdhetarët në Birr, Aargau, ku na u bashkuan shumë deputetë dhe zyrtarë të PDK-së. Ky tubim ishte një mundësi për të diskutuar mbi çështje të rëndësishme për mërgatën shqiptare, për të ndarë ide dhe për të forcuar lidhjet me atdheun”, ka shkruar ai.
“Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre ndaj vlerave tona kombëtare dhe politike.
PDK vazhdon të jetë zëri i fuqishëm i bashkatdhetarëve tanë kudo që janë.
Kosova meriton ma mirë dhe kësaj i prin më së miri kryeministri Bedri Hamza”, ka mbyllur Xhaka./albswiss.com/





