Drejtuesit e “Shqipëria bëhet“ derisa javëve të fundit kanë realizuar një vizitë evropiane dhe kanë takuar bashkëatdhetarë gjithandej shteteve dhe metropoleve të kontinentit kanë nisur të dridhin pozicionet e Edi Ramës në Mërgatë.
Drejtuesi Adriatik Lapaj dhe bashkërrugëtuesit e tij në “Shqipëria bëhet“, Edona Haklaj, Arjan Konomi, Augustella Thoma, Azmer Dulevic, Elton Laska e Ervis Çela kanë shpalosur në Mërgatë idetë e tyre se si Shqipëria mundet dhe bëhet. Mërgata në masë, ndërkaq e ka mirëpritur lëvizjen e Lapajt me shokë, njëherësh duke mbushur sallat plotë e përplotë ku janë organizuar takimet.
Madje, një nga qytetet evropiane që ka përqafuar e suprizuar më shumë idenë e “Shqipëria bëhet“ me pjesëmarrje ka qenë Düsseldorfi i Gjermanisë.
“Faleminderit, diaspora e Dusseldorfit dhe e gjithë Gjermanisë, faleminderit nga zemra! Përulem! Këtu janë qindra të rinj shqiptarë; nuk kam parë kaq shumë të rinj sa po shoh në Düsseldorf, sepse rinia e vendit tonë padrejtësisht është larguar, ndërsa kryeministri i vendit tonë po flet në Athinë. Ky njeri, pasi largon rininë nga vendi, na thotë neve, që mundohemi për mirë, se jemi “sude”. Ky është “sude” që do mbahet mend në histori si Ali Baba me 40 hajdutë, por në këtë rast Edi Rama me 200 hajdutë. Ky që drejton qeverinë e krimit, ky që 80% e ekipit me të cilin erdhi në pushtet i ka shkuar në burg. Ky, që qeveria e tij krijon trafik në derën e SPAK-ut, është “sude”, ky Ali Baba me 200 hajdutë. Nga ky aktivitet i mrekullueshëm, nuk do merrem më me të, sepse atij po i dridhet toka nën këmbë. Unë sot jam plot shpresë mes jush dhe jam i bindur që kombi ynë do ta gjejë forcën këtë herë për të çarë sistemin e më pas për ta shkatërruar“, ka thënë Lapaj në Dusseldorf para simpatizantëve të tij, ndërsa ka shprehur besimin e tij se shqiptarët ia dalin kudo.
“Kam besim se shqiptarët kudo që shkojnë sjellin begati; kanë shkuar në emigrim me gomone, pa ndihmë, të vuajtur, të pangrënë. Por sot kanë biznese, stabilitet, ekonomi dhe mbajnë me bukë familjet në Shqipëri. Thonë që Shqipëria nuk bëhet, që jemi dele dhe se Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë. Jo, nuk është kështu.
A bëhet Gjermania me shqiptarë? Po, bëhet. A bëhet Franca me shqiptarë? Po, bëhet. A bëhet Kanadaja me shqiptarë? Po, bëhet. Pse të mos bëhet Shqipëria me shqiptarë? Bëhet dhe do ta bëjmë. Shqipërinë e kanë marrë peng një grup banditësh, Edi Rama me 200 hajdutët e tij“, ka shtuar ai.
Kurse, Edona Haklaj, ka shprehur bindjen e saj se emigrantët shqiptarë nuk janë larguar, por sipas saj, janë dëbuar.
“Ju e dini që Shqipëria është kthyer në një atdhe emigrantësh, ku gjysma e popullsisë jeton jashtë vendit. Sipas të dhënave zyrtare të CENS-it për vitin 2023, së paku 42% e popullsisë, ose 2.2 milionë shqiptarë, jetojnë jashtë Shqipërisë, pa përfshirë ata që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare ose fëmijët e atyre që kanë lindur jashtë atdheut. Kjo nuk ka ndodhur nga dëshira, por për shkak të keqqeverisjes. Ju nuk jeni larguar, por ju kanë dëbuar. Një nga dëbuesit kryesorë është kryeministri aktual, Edi Rama, sepse vetëm gjatë dekadës së fundit janë larguar më shumë se 500 mijë shqiptarë“, ka thënë Haklaj.
Përderisa, i dashuri i publikut, Arjan Konomi, ka dhënë arsyet e tij pse i është bashkuar Lapajt.
“Shumë gazetarë më pyesin: “Arjan, na the që nuk do merreshe me politikë, që nuk të intereson as e majta as e djathta. Çfarë ndodhi tani?” Ajo që ndodhi është se për herë të parë pas 30 vjetësh, pashë ide që me të vërtetë vlejnë për t’u besuar. Pashë njerëz që janë të pastër dhe të çiltër, dhe një lider si Adriatiku, edhe pse ai nuk dëshiron t’i përmendim emrin. Propaganda socialiste është shumë e fuqishme dhe ka krijuar bindjen se janë të pathyeshëm dhe të pazëvendësueshëm, se e kanë pushtetin e pakontestueshëm.
Dhe në një farë mase, kjo është e vërtetë: ata kanë para, kanë mbështetjen e strukturave, por harrojnë diçka shumë të rëndësishme – fuqinë e votës së popullit, e cila ka për t’i mundur“, ka thënë Konomi./Alb’swiss TV