Në qytetin Zollikon (ZH) të Zvicrës, organizuar nga konsullata e Republikës së Kosovës në këtë qytet, para shumë të pranishmëve, mbahet akademia përkujtimore në kujtim të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani. Kujtohet dhe nderohet, poeti, piktori, strategu luftarak e mbi të gjitha heroi i Kosovës martire Agim Ramadani, i cili me jetën, veprën dhe rënien e tij heroike i dha dritë lirisë së Kosovës nga pushtuesi serb.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës z; Donika Gërvalla në akademinë përkujtimore të mbajtur në Cyrih të Zvicrës tha se heroi Agim Ramadani ishte strategu dhe artisti me vizion të qartë për Kosovën.

Për ta nderuar këtë ditë përkujtimore ishin të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ish-komandanti i Brigadës “138 “Agim Ramadani, Rrustem Berisha, si dhe familjarë e bashkëluftëtarë të heroit. Shënimi i këtij përvjetori i cili konsiston edhe me njëzet e pesë vjetorin e çlirimit të Kosovës, nga Konsullata jonë në Cyrih, kaloj nën përgatitjen dhe suksesin e mëtuar, gjë që edhe u arrit ajo për të cilët kishin parashikuar organizatorët.
Heroi Agim Ramadani bashkë me veprën e tij madhore, krijimtarinë në fushën e letërsisë, pikturës, dhe gjenialitetin e tij sikur çdo përvjetor rishfaqët nga përjetësia, Jo vetëm aty ku u flijua në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Kosharen e shembllyeshme me Rozafatin por, edhe në çdo ambient anembanë botës ku jetojnë shqiptarët. Figura jeta dhe veprimtaria e tij shfaqet nëpër përkujtimet dhe në mbamendje gjithëshqiptare.
Përmes vargut të poezisë, ngase duhet kujtuar se heroi ishte krijues, poet, piktor dhe strateg ushtarak, ishte ai që do të shkruante se: Atdheu i copëzuar është më shumë se klithje, është mallkim. Në një cikël poetik të krijimtarisë së dëshmorit Agim Ramadani të titulluar “ Për një pike ujë Kosovë” thuhet: Me plumb filluam nokturno të shkruajmë / për gjymtyrë të mbetura në fushëbeteja… A mjafton të presim vetëm / e të shikojmë/ Duke larguar perden / Për të parë si na vjen liria.
Heroi Agim Ramadani, nuk u mjaftua që të presim për të parë sesi vjen liria. Por, ai la shtetin e Zvicrës ku jetonte sepse vizioni i tij i qartë ishte çlirimi dhe liria e Kosovës. Si një strateg me njohuri ushtarake, ai ishte i bindur në përmbysjen e okupuesit serb dhe drejtësinë që do të triumfonte deklaroi në fjalën e saj zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të vazhduar.
“Beteja e Kosharës” ishte njëra nga betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë betejë ushtria jugosllave ishte mundur dhe kishte humbur kontrollin në Koshare në kufirin shqiptaro-shqiptar. Thyerja e kufirit më 9 prill 1999 shënoi triumfin dhe fitoren mbi ushtrinë pushtuese serbe, andaj ajo sot kujtohet si beteja e krenarisë dhe lavdisë sonë.
Triumfi i luftëtarëve sypatrembur nga gjitha viset e atdheut dhe mërgata jonë të prirë nga komandantët Agim Ramadani, Sali cekaj, Rrustem Berisha, Xhemajl Fetahu e të tjerë bëri që të shemben muret që ndanin popullin shqiptar dhe të triumfoj liria e Kosovës të cilën sot e gëzojmë tha ndër të tjera: Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Gjithashtu, në këtë akademi përkujtimore kujtime për heroin kanë shpalosur edhe bashkëluftëtarët e Agimit. Rrustem Berisha duke kujtuar vënë në pah vlerat njerëzore, artistike e ushtarake të komandant Agimit, tha se rënia e tij në fushën e nderit ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare, por ai dhe gjithë ata që kishin rënë në këtë betejë ishin gur themeltarët i lirisë e cila veç kishte nisur të agonte. Ndërsa bashkëshortja e heroit Shukrie Ramadani potencoi se liria të cilën e gëzojmë sot ka rrënjët në gjakun e derdhur të gjithë heronjve, andaj ajo është e shtrenjtë dhe e shenjtë.
Këtë tubim edhe më madhështor e bën edhe pikat artistike të cilat u interpretuan. Poezitë e heroit Agim Ramadani të shoqëruara edhe me pika muzikore nga solistja e mirënjohur Elina Duni si dhe instrumentisti Elmir Berisha madhështuan edhe më tej këtë tubim përkujtimor i cili kaloj në frymën e organizimit madhështor. Në fund të kësaj akademie përkujtimore ishte organizuar edhe ekspozita me piktura të heroit, krijuar me dashuri e pietet të lartë artistik të cilat janë vlerësuar nga të gjithë./Alb’swiss TV/





