Albin Kurti konfirmon se do ta shqyrtojë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se do ta shqyrtojnë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pasi të vije ai në krye të ekzekutivit.
Ai pas një takimi me ambasadorin e Turiqisë në Kosovë, ka thënë se rreth kësaj qështje do ta shqyrtojnë edhe dokumentacionin e Qeverisë në largim.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ndërsa, duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, Kurti në këtë takim ka thënë se do të fokusohen në shtimin e marrëdhënieve bilaterale.
“Ambasadori uroi Kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falendëroi Ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan”.
“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”, theksohet në njoftim.
Në fund, sipas njoftimit të VV-së, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve mike.