fbpx
-20.9 C
Geneva
Tuesday, January 21, 2025

Ansambli “Gëzuar” në Gjenevë përmbyll me sukses vitin 2024

Ansambli i këngëve dhe valleve « Gëzuar » është themeluar në vitin 2007. Që nga themelimi i saj, kjo shoqatë punën dhe veprimtarinë e saj artistike e kulturore e zhvillon në mënyrë tejet të suksesshme. Ansambli “Gëzuar” është bërë shembull i një organizimi artistik jo vetëm në mërgatën tonë por edhe më gjerë.

Nga themelimi i shoqatës, breza të rinjsh, fëmijë, artistë dhe veprimtar me punën e tyre kanë bërë që organizimet dhe shfaqjet artistike para publikut të jenë të suksesshme. Në këtë shoqatë hapat e parë në vallëzim dhe paraqitje koreografike i kanë bërë dhe i bëjnë breza të ndryshëm të fëmijëve dhe të rinjve tanë të cilët rriten jashtë atdheut. Ata me punën dhe përkushtimin e tyre kanë prezantuar, çdo festë e përvjetor si dhe data të shënuara jo vetëm në qytetin e Gjenevës por, edhe nëpër shumë qendra të mërgatës sonë.

Mbrëmjen e 14 dhjetorit, me rastin e festave të fund vitit kryesia e ansamblit e përbërë prej pesë anëtarëve Linda Rexhaj–Maliqi nënkryetare, Mirheme Terziu-Ibrahimi sekretare, Naim Kurteshi, arkatar, Njazi Ibrahimi, të prirë nga kryetari aktual zotëri Fadil Avdija, organizuan mbrëmjen tashmë tradicionale me prindër dhe valltarët e ansamblit.

Jehona festive dhe organizimi i kësaj mbrëmje ndjehej kudo në sallën “Vila Tacchini”. Pas pak, në skenë fjalën e merr kryetari Fadil Avdija, i cili duke përshëndetur të pranishmit dhe duke ju uruar mirëseardhje i falënderon të gjithë për angazhimet e tyre. Kryetari Avdija duke dhënë një historik të shoqatës përmend aktivistë të shumtë të saj të cilit nëpër vite kontribuuan që shoqata “Gëzuar” të ketë arritur këto suksese.

Ai, duke dhëne një kronologji të veprimtarisë theksoi, se falë përkushtimit të udhëheqjes dhe anëtarëve të shoqatës, vallet dhe pikat artistike të kësaj shoqate kanë jehuar anembanë dhe janë mirëpritur nga të gjithë.

Kryetari Avdija, fton në skenë sekretaren aktuale të shoqatës Mirheme Terziu-Ibrahimi e cila në emër të kryesisë mbajti një fjalim për ushtruesen e koreografisë Shota Fejza, të cilën e falënderoj për përkushtimin, frymëzimin dhe energjinë e saj ndër vite si një shtyllë e veçantë e këtij ansambli. Duke i dëshiruar suksese të shumta në jetën e saj profesionale, Zonja Terziu–Ibrahimi fton në skenë vet Shota Fejzën.

Më pas, Agnesa Kurteshi ushtruesja e dytë e koreografisë, në emër të valltarëve dhe gjithë grupit me një fjalim falënderues dhe emocional ndau çaste nga veprimtaria e Shotës, e cila shkaku i angazhimeve profesionale përfundon detyrën e ushtrueses së koreografes në kuadër të kësaj shoqate. Në emër të kryesisë Shota Fejza përcjellët me fjalët më të mira për udhëheqje si dhe me buqetë lulesh dhe dhurata për angazhimin e saj të devotshëm.

Në vazhdim para të pranishmëve në skenë dalin më të vegjlit e ansamblit të cilët me vallen e ekzekutuar dëshmojnë hapat e tyre të parë të rrugëtimit drejt ruajtjes së vlerave kulturore shqiptare. Më pas një këngë e përgatitur enkas për festën nga më të vegjlit entuziazmoi të pranishmit.

Programi vijon nga Shota Fejza me “Vallen e Hatixhes” vepër e krijuar nga i madhi dhe mirënjohur koreograf Xhemali Berisha.

Pas përfundimit të kësaj preformance të ekzekutuar me shumë mjeshtri, Kryetari Fadil Avdija fton në skenë të gjithë valltarët. Me këtë rast atyre ju ndahet nga një dhuratë për punën dhe kontributin e dhënë gjatë këtij viti.

Në këtë kuadër, udhëheqja e grupit “Hareja” Artistja e mirënjohur Afërdita Krasniqi, del në skenë dhe me fjalët më të mira për fëmijët e ansamblit thotë se ata meritojnë shumë, sepse përherë me shfaqjet e tyre na kanë sjell shumë emocione, gëzim dhe krenari. Kjo punë është bërë falë udhëheqjes së ansamblit e konkretisht drejtuesit Fadil Avdija, të cilin me këtë rast e falënderon me një dhuratë në emër të gjithë grupit “Hareja”.

Festa vazhdon, dhe në skenë del Ejona Bytyqi një artiste e talentuar e cila sjell këngën e saj të re “Në Kosovë më gëzohet zemra” pikë artistike e cila u mirëprit dhe u duartrokit në mënyrë entuziaste nga të gjithë të pranishmit.

Duhet përmendur se gjatë tëre mbrëmjes dhe fjalimeve të rastit, ishte projektuar në ekran historiku i shoqatës, përvjetorët dhe ngjarjet e ndryshme të cilat kanë mbetur të regjistruara nëpër vite me theks të veçantë dhjetë vjetori i shoqatës dhe përvjetorët të tjerë të përcjellëllura edhe nga Alb’swiss TV në Gjenevë.

Pas disa orëve të pikave artistike, muzikës dhe valleve, në sallë shtrohet sofra e madhe e cila rreth saj tubon anëtarët dhe të pranishmit për të ngritur dollinë me një “GËZUAR” e cila simbolizonte suksesin dhe të arriturat e këtij ansambli.

Për ta nderuar këtë festë ishin të ftuar z. Ali Mehmeti – themeluesi i shoqatës “Komuniteti Shqiptar të Gjenevës” në Gjenevë dhe z. Nasuf Nuhiu – Kryetar aktual i kësaj shoqate.

Në fund duhet përmendur se pos shumë organizimeve të cilat sot zhvillohen në mërgatën tonë, aty ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, ansambli “Gëzuar” sot është njëra nga shoqatat më të devotshme e cila nëpër vite ka zhvilluar aktivitete dhe ka edukuar brezin e ri duke ruajtur përherë gjurmët e kulturës dhe traditës sonë kombëtare.

Festa dhe organizimi i këtij shënimi vazhdon deri në orët e vonshme të natës dhe të pranishmit ndahen me entuziazmin se organizimet dhe veprimtaria kulturore të cilat i përcjellë kjo shoqatë duhet të jenë një shembull për shumë qendra të mërgatës sonë se investimi dhe përkushtimi në fëmijët është rruga më e sigurt drejt ardhmërisë dhe atdhedashurisë./Alb’swiss TV/

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img