Gjykata e Apelit, ka njoftuar se ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Arbër Krasniqi dhe Sahit Mataj.
Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 11.03.2021.
Në njoftimin e bërë nga Gjykata e Apelit thuhet se Krasniqi dhe Mataj po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK); dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga nenin 212 par.4 lidhur me nenin 31 të këtij kodi.
“Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartë cekur ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, të ndikojnë në prova ose dëshmitarë apo edhe ta përsërisin veprën penale”, thuhet në njoftim.
Arrestimi i tyre erdhi pas publikimit të një video incizimi ku paraqiten manipulimet me vota, pjesë e të cilit dyshohet të jetë Dardan Stublla, bashkëshorti i ish-kryediplomates kosovare dhe kandidates për deputete nga AAK, Meliza Haradinaj Stublla.
Pas këtyre raportimeve, të martën Haradinaj Stublla dha dorëheqje nga pozita e ministres së Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha pozitat në AAK.