Donika Gërvalla, ministrja e gafave
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, më shumë do të mbahet mend për gafat e saj sesa për punën gjatë një mandati qeverisës në krye të kësaj ministrie.
Jo një herë, por disa here, Gërvalla kishte bërë gabime skandalze në postimet e saj në rrjetet sociale.
Diplomatja kosovare, ka një listë të gjatë me huqe në llogarinë e saj në Twitter.
Gërvalla, duke ngushëlluar për vdekjen e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, i është referuar atij si komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, raporton Demkracia.com.
Por, komandanti i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë ka qenë britaniku, Michael Jackson, pozitë të cilën e ka mbajtur nga 10 qershori i vitit 1999 deri më 8 tetor 1999.
Ndërsa Reinhardt ishte komandanti i dytë i kësaj force.
Postimi i Gërvallës në Facebook është edituar më pas, duke e bërë komandanti i parë gjerman i KFOR-it në Kosovë.
Një tjetër huqje nga e para e MPJD-së ishte bërë, me 8 gusht të këtij viti, në urimin për ditën e pavarësisë së Andorës, kur kishte ngatërruar flamurin, duke e vendosur atë të Moldavisë.
Se flamuri është i Moldavisë e tregon edhe vetë ‘Twitter’ vetëm nëse e afron kursorin dhe shënon “Flag of Moldova”
Flamujt e Andorrës dhe Moldavisë kanë ngjyrat e njëjta, megjithatë dallojnë jashtëzakonisht shumë në simbolet që kanë brenda flamurit.
Ende pa kaluar 24 orë Grvalla kishte bërë një huqje tjetër.
Teksa ngushëllon familjet e viktimave të zjarrit që kishte shpërthyer në Spitalin e Tetovës, ministrja Gërvalla tregon për komunikimin që ka pasur me homologun e saj Bujar Osmani. Mirëpo, në “tagg”-un e bërë, Gërvalla ka përfshirë një Bujar tjetër dhe jo atë të duhurin.
Në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, në vend se të etiketojë ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i bëri një tag një tifozi të lojtarit Zlatan Ibrahimoviq.
Por, gabimin e ka rregulluar më pas.
Një tjetër gabim skandaloz ishte ai kur në faqen zyrtare të Gërvallës në Twitter, ishte ngatërruar flamuri i NATO-s me atë të OKB-së.
Ajo ka postuar një fotografi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke e paralajmëruar vizitën e tij në Kosovë më 1 korrik, por në vend se të vinte flamurin e NATO-s, ajo ka vendosur flamurin e OKB-së në tri vende, raporton Demookracia.com.
Ndryshe, MPJ-ja dhe ministrja Gërvalla janë kritikuar edhe më herët për postimet në Twitter, sidomos për atë që kishte të bënte me Rusinë, kur dyshohej se ishte bërë me ndihmën e “google translate”.
Ministrja Gërvalla, para Komisionit për Punë të Jashtme e kishte arsyetuar këtë me limitimin prej 270 karakteresh.
Po ashtu, Gërvalla gjatë një debati televiziv kishte thënë se të gjitha huqjet i merr si komplimente teksa nuk ka kritika në politikën e jashtme të Kosovës.
“Më lejoni ta them këtë se kjo është një kompliment i madh për punën time ku mediat merren me pikat dhe presjet e mija. Nëse kritikat bazohen vetëm në lëshime të vogla teknike dhe jo në gabime të mëdha për vendin – e kuptoj njëkohësisht si kompliment të punës tonë shumë serioze në ngritjen e politikës së jashtme të Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
“Huqja e flamurit është një huqje teknike dhe për gabime të tilla jemi duke punuar por rëndësi ka që nuk ka huqje në politika fundamentale të jashtme të Kosovës”, tha Gërvalla.





