25.5 C
Geneva
Friday, June 24, 2022

Emra të njohur të futbollit dhe këngës në mbështetje të shoqatës bamirëse ”Jetimat e Ballkanit”

Në Gjenevë të Zvicrës është organizuar një manifestim madhështor në mbështetje të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit.

Meqenëse bënte kohë e bukur dhe me diell këtë ngjarje të rëndësishme me shumë akterë nga fusha e futbollit,muzikës dhe afarizmit e kanë ndjekur mijëra mërgimtarë tanë nga Gjeneva, e qytete të tjera të Zvicrës.

Interesimi i madh i mërgimtareve tanë për t’i ndihmuar familjet skamnore në trojet tona ka bërë që kjo ngjarje me program të larmishëm të zhvillohet në “Stade de la Fontenette” të komunës Carouge të Gjenevës.

Sipas shënimeve të bëra publike ky stadium ka mbi 6mijë ulëse, të cilat sot kanë qenë të gjitha të mbushura nga mërgimtarët tanë.

Manifestimin e ka shpallur të hapur moderatori ynë i mirënjohur Labinot Gashi-Labi. Ai para të pranishmëve ka prezantuar të ftuarit special të kësaj ngjarje si zotin Bekim Jashari ish-kryetar i komunës së Skenderajt, dhe pjesë e familjes legjendare Jashari, Halil Kastratin, udhëheqës shumëvjeçar të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, zonjën Anne Hiltpold, ushtruese e detyrës së kryetares së Bashkisë së Carouge të Gjenevës, Agim Ademin, kryetar i Federatës Futbollistike të Republikës së Kosovës, Bernard Challandes ish-përzgjedhës i kombëtares së Kosovës në futboll, Michel Pont, punëtor i dalluar sportiv dhe analist me prognoza shumë herë të sakta rreth zhvillimeve në futbollin e Zvicrës dhe atë të Evropës.

Anne Hiltpold, ushtruese e detyrës së kryetares së Bashkisë së Carouge të Gjenevës
Anne Hiltpold, ushtruese e detyrës së kryetares së Bashkisë së Carouge të Gjenevës

Mysafir në  këtë ngjarje ishin edhe babë e djalë Agim e Lorik Cana. Ata edhe pse e kanë përfunduar karrierën prej futbollistësh në zë, ka bukur kohë që ndihmojnë në mbarëvajtjen dhe organizimin e aktiviteteve humanitare.

Pastaj skuadrat veterane FC. “Kosova” e Gjenevës dhe FC “Dardania” e Llozanës, kanë zhvilluar një ndeshje miqësore, e cila ka përfunduar me rezultatin 3 me 5 në favor të dardanëve.

Loja është përshkruar me aksione të  bukura dhe me raste të shumta shënimi. Të dyja skuadrat edhe pse aktivitetin e tyre e zhvillojnë larg Kosovës, kanë zhvilluar veprimtari të pasur duke dhënë emra të mëdhenj të futbollit.

Në FC. Dardania të Llozanës karrierën prej futbollisti të dalluar e pati filluar edhe qendërmbrojtësi  dhe kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, lojtarë aktiv  i  skuadrave franceze FC. Paris Saint-Gremain, Olympique  de Marseille, FC. Nantes.

Lorik Cana gjatë viteve 2009-2010 luajti edhe në  AFC Sunderland të Anglisë. Karrierën prej futbollisti shembullor ai e begaton duke luajtur edhe në FC Galtasaray të Turqisë dhe FC Lazio të Romës.

Po ashtu Cana fanellën e kombëtares shqiptare e ka veshur hiq më pak se 94 herë. Andaj, emri i tij ka hyrë me meritë të plotë në analet e futbollit shqiptar dhe të  atij evropian.

Në këtë skuadër me renome të Zvicrës frëngjishtfolëse  kanë luajtur edhe futbollistët ikona të dikurshme të FC. Prishtina, Agim Cana e Ramadan Cimili.

Ndërsa në ekipin e veteranëve të FC Kosova të Gjenevës,që po i ofrohet dekadës së tretë të punës dhe  suksesit janë prezantuar  futbollistët: Fadil Haliti, Bujar Ahmeti, Hysen Bilalli, Arben Selmani, Halil Rrahmani, Nexhat Xhimshiti-Xhimi etj, të gjithë dikur krenari jona.

Me të përfunduar kjo lojë adhuruesit e muzikës me disa këngë të bukura i kanë kënaqur këngëtarët e mirënjohur Mehdin Pergjegjaj i njohur me shkurtesën Meda, Dhurata Murturi- Dora dhe Trim Ademi, në botën e muzikës i njohur si  Capital T.

Përkrah këtyre këngëtarëve më përvojë të gjatë janë shfaqur edhe valltarët e Ansamblit “Gëzuar” të Gjenevës. Ata kanë luajtur me mjaft shije disa valle burimore të treva tona. Lojën e tyre të bukur e kanë duartrokitur të gjithë të pranishmit.

Në këtë ngjarje sportive dhe kulturore nuk kanë munguar as daulle e surle,ku nën tingujt e tyre të rinj e të reja kanë hedhur vallen.

Këtë manifestim që gjatë do të mbetet në kujtesën e mërgatës sonë në Gjenevë e ka mbyllur takimi i skuadrave të  përzgjedhura nga futbollistët Lorik Cana dhe  Johan Djourou, futbollistë me origjinë nga Bregu i Fildishtë, i cili luajti në disa skuadra të Zvicrës, Anglisë, Gjermanisë dhe Turqisë.

Djouru që në shpirt e ka solidarizimin me skamnorët për kombëtaren e Zvicrës ka luajtur 76 herë.

Lorik Cana  kësaj radhe në cilësinë e trajnerit dhe lojtarit në skuadrën e sajuar nga ai ka tubuar futbollistët më të njohur që kanë luajtur në skuadra të ndryshme të Zvicrës dhe Evropës.

Me të përzgjedhurit e Lorik Canës ishin edhe Milaim Rama, reprezentues i parë i Zvicrës me origjinë nga Zhitia e Anamoravës së Kosovës, Shkodran Mustafi, Andi Lila, Jahmir Hyka, Migjen Basha, Enis Alushi, Kastriot Imeri etj.

Rama përveç  që ishte lojtar i dalluar shquhet edhe me modestinë e tij të rrallë. Atë e bënë të veçantë nga të tjerët gatishmëria për komunikim në çdo kohë me adhuruesit e tij.

Rama në Zvicër krahas punës në një shoqëri sigurimesh e mban me shumë sukses edhe një shkollë futbolli, nga e cila mendon se në të ardhmen do të nxjerrë lojtarë shpresë për Zvicrën.

Ndeshja miqësore ndërmjet të përzgjedhurëve të Lorik Canës dhe Johan Djouro ka përfunduar me rezultatin 2 me 3 në dobi të skuadrës zvicerane.

Golashënues për  skuadrën e përbërë nga futbollistë shqiptarë kanë qenë Milaim Rama dhe Andi Lila.

Kurse takimin  pa vërejtjen më të vogël e ka drejtuar Genc Nuza,i licencuar edhe nga FIFA,si arbitër ndërkombëtar. Ai me profesionalizmin e treguar në këtë ndeshje ka dëshmuar se emërimi i tij s’ka qenë i rastësishëm.

Mjeke kujdestare në rast lëndimesh ka qenë zonja Kaltrinë Nexhmedin Ilazi, me origjinë nga Komogllava e Ferizajt, por që studimet për Mjekësi i ka kryer me sukses në Universitetin e Gjenevës.

Gjatë gjithë kohës përkrah doktoreshës Ilazi ka qëndruar edhe Granit Metushi, infermier i përgjithshëm në Spitalin Universitar të Gjenevës.

Meqenëse kontributet kanë qenë qëllim i këtij manifestimi duhet theksuar që me donacionet e tyre në mesin e dhjetëra donatorëve janë dalluar sipërmarrësit në fushën e gastronomisë Nusret Sulejmani dhe Zenun Gashi.

Veçmas me humanizmin e tij të vazhdueshëm dallohet z.Sulejmani, i cili ndihmon edhe në botime librash e ngjarjesh që kanë poentë ruajtjen e trashëgimisë sonë  historike dhe kulturore.

Kësaj radhe duhet pranuar që kryeprotagonist i këtij organizimi ka qenë i riu Qazim Shabani. Ai ka dhënë gjithçka nga vetja vetëm e vetëm që kjo ngjare të realizohet me sukses.

Nuk duhet harruar as kontributi vullnetar i qindra të rinjve dhe të rejave që gjatë gjithë kohës kanë shërbyer në kuzhinat e ushqimit  dhe kanë kryer detyrën e kujdestarit në hyrje -daljet e stadiumit.

Në fund të manifestimit në ankand kanë dal edhe fanellat e futbollistëve të njohur shqiptarë Shkodran Mustafi, Lorik Cana, Xherdan Shaqiri, Enis Bardhi, Andi Zeqiri dhe Kastriot Imeri.

Me kusht që të inkasohen sa më shumë mjete në mbështetje të familjeve në nevojë një mërgimtar për fanellën e Xherdan Shaqirit ka paguar 3mijë franga.

Ndërsa, Avdi Zeqiri  nga Talinoci i Muhaxhirëve të Ferizajt, prind i futbollistit të  njohur Andi Zeqiri, i cili aktualisht luan në FC. Augsburg të Gjermanisë dhe është kandidatë potencial për të qenë pjesë e kombëtares zvicerane, për një familje në kushte të rënda banimi do t’i jap mjetet për blerën e një banese në komunën prej nga ai vjen.

Të entuziazmuar me suksesin fjalë rasti kanë mbajtur Halil Kastrati, Bekim Jashari, Lorik Cana dhe Agim Ademi.

Ata me fjalë të dala nga thellësi e shpirtit i kanë falënderuar të gjitha ata mërgimtarë që me kontributet e tyre po e ndërtojnë tash sa vjet Republikën e Kosovës dhe po i bëjnë të lumtura familjet e mbetura pa përkujdesje prindërore.

ARIF EJUPI

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img