Shoqata “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” ka reaguar publikisht ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me të cilin u dënuan ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një reagim të dërguar në adresë të redaksisë së Alb’swiss TV, Kryesia e kësaj shoqate shpreh “zemërimin dhe kundërshtimin absolut” ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të papranueshëm.
“Ky vendim dhe dënimet e shqiptuara janë jo vetëm të padrejta e të papranueshme, por përbëjnë një fyerje të rëndë dhe një hije mbi gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve”, thuhet në reagim.
Sipas Kryesisë së Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, aktgjykimi është “një goditje e thellë mbi kujtesën e të masakruarve” dhe mbi dhimbjen e familjeve që ende presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre të zhdukur, si dhe një padrejtësi ndaj mijëra të mbijetuarve të luftës.
“UÇK-ja lindi si domosdoshmëri”
Në reagim theksohet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një domosdoshmëri historike, e lindur “nga gjaku dhe qëndresa e një populli që kërkonte të jetonte i lirë, përballë një sistemi gjakatar, përballë represionit, dhunës shtetërore dhe dëbimit masiv nga pushteti i Serbisë gjenocidale”.
“Për ne, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftën më të drejtë, më të pastër dhe më çlirimtare që njeh historia jonë, andaj asnjë aktgjykim nuk mund të shërbejë për ta vendosur në bankën e të akuzuarve UÇK-në”, theksohet më tej në dokument, ku shtohet se askush nuk ka të drejtë “të njollosë epopenë tonë kombëtare” dhe sakrificën e dëshmorëve.
Kërkohet lirimi i tyre
Shoqata Komuniteti Shqiptar i Gjenevës ka kërkuar lirimin sa më të shpejtë të të akuzuarve, duke shprehur shpresën se “të gjithë çlirimtarët tanë do të kthehen sa më shpejt aty ku e kanë vendin: pranë familjeve të tyre dhe në gjirin e shtetit tonë të lirë, Republikës së Kosovës, për të cilën sakrifikuan gjithçka”.
Reagimi mbyllet me mesazhin: “E vërteta e gjakut tonë është më e madhe se çdo padrejtësi kalimtare!”, i shoqëruar me thirrjet “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës! Rroftë lufta çlirimtare! Rroftë populli i Kosovës! Rroftë kombi shqiptar!”.
Reagimi është nënshkruar nga Kryetari Nasuf Nuhiu, në emër të Kryesisë së Komunitetit Shqiptar të Gjenevës./Alb’swiss TV
__________________________________
Reagimi i pranuar në Redaksi.
Reagim i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” ndaj aktgjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Shoqata Komuniteti Shqiptar i Gjenevës shpreh zemërimin dhe kundërshtimin absolut ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, i cili goditi në mënyrë të padrejtë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ky vendim dhe dënimet të shqiptuara janë jo vetëm të padrejta e të papranueshme, por përbëjnë një fyerje të rëndë dhe një hije mbi gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve. Është një goditje e thellë mbi kujtesën e të masakruarve, mbi dhimbjen e pashlyeshme të familjeve që ende sot presin të dinë fatin dhe vendin e prehjes së të dashurve të tyre të zhdukur. Është, gjithashtu, një padrejtësi e pafalshme ndaj mijëra të mbijetuarve që mbajnë në trup dhe në shpirt plagët e hapura të një lufte për mbijetesë.
Në këtë çast të vështirë, është më e domosdoshme se kurrë të rikujtojmë një të vërtetë historike, e cila nuk mund të zhbëhet, të mjegullohet apo të rishkruhet nga asnjë vendim politik i kësaj bote, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri absolute nga gjaku dhe qëndresa e një populli që kërkonte të jetonte i lirë, përballë një sistemi gjakatar, përballë represionit, dhunës shtetërore dhe dëbimit masiv nga pushteti i Serbisë gjenocidale.
Për ne, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftën më të drejtë, më të pastër dhe më çlirimtare që njeh historia jonë, andaj asnjë aktgjykim nuk mund të shërbejë për ta vendosur në bankën e të akuzuarve UÇK-në. Askush nuk ka të drejtë të njollosë epopenë tonë kombëtare, luftën tonë çlirimtare, sakrificën sublime të dëshmorëve dhe idealin shumëshekullor të një populli të tërë për liri.
Ne, si shoqatë, por edhe si shoqëri, kërkojmë lirimin e tyre sa më parë. Jemi me shpresë të pashlyeshme se të gjithë çlirimtarët tanë do të kthehen sa më shpejt aty ku e kanë vendin: pranë familjeve të tyre dhe në gjirin e shtetit tonë të lirë, Republikës së Kosovës, për të cilën sakrifikuan gjithçka.
E vërteta e gjakut tonë është më e madhe se çdo padrejtësi kalimtare!
Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
Rroftë lufta çlirimtare!
Rroftë populli i Kosovës!
Rroftë kombi Shqiptar!
Me nderime dhe respekt,
Kryesia e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës
Nasuf Nuhiu
Kryetar





