Biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani, mori pjesë në aktivitetet festive në Manastir, kushtuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Ai vlerësoi bashkimin e shqiptarëve rreth gjuhës dhe alfabetit, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment krenarie dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.
MANASTIR – Plot emocione dhe krenari e ka përjetuar filantropi shqiptar Lazim Destani pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara në qytetin historik të Manastirit, me rastin e shënimit të 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në një mesazh të publikuar pas pjesëmarrjes në këtë ngjarje, Destani ka rikujtuar rëndësinë historike të 22 Nëntorit 1908, datë kur atdhetarët shqiptarë nga të gjitha trojet u mblodhën në Manastir dhe morën vendimin historik për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, duke përcaktuar alfabetin latin si bazë të shkrimit të gjuhës sonë. Gjatë qëndrimit në Manastir, Lazim Destani fillimisht vizitoi Muzeun e Alfabetit, ku u prit ngrohtësisht nga drejtori i këtij institucioni, Nuer Arsllani, së bashku me stafin e muzeut. Kjo vizitë përbënte një moment të veçantë për të rikujtuar rrugëtimin historik të alfabetit dhe përpjekjet e atyre që punuan për bashkimin gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve.

Aktivitetet festive vijuan në Pallatin e Kulturës në Manastir, ku u organizua një program i pasur kulturoro-artistik, me pjesëmarrjen e artistëve, studiuesve dhe personaliteteve të ndryshme nga jeta publike dhe institucionale.
Një atmosferë të veçantë në këtë manifestim krijuan tri ansamblet kombëtare të këngëve dhe valleve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Përmes muzikës, këngëve dhe valleve tradicionale, ato sollën një program artistik që bashkoi shqiptarët nga të gjitha trojet dhe mërgata, duke i dhënë kësaj feste rëndësinë dhe dinjitetin e merituar. Lazim Destani, duke shprehur emocionet e tij për këtë organizim, vuri në pah se ngjarjet e tilla dëshmojnë se shqiptarët, kur bashkohen rreth vlerave të tyre më të shenjta kombëtare, arrijnë të lënë gjurmë të pashlyeshme në histori.

Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes, dashurisë dhe pasurimit të gjuhës shqipe, duke e konsideruar atë një trashëgimi të çmuar që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm. Shënimi i 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit ishte edhe një dëshmi e lidhjes së fortë të shqiptarëve me historinë, gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar. Prania e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata i dha këtij përvjetori një dimension të veçantë bashkimi dhe krenarie. Në përfundim të mesazhit të tij, filantropi Lazim Destani përcolli urimet për këtë ditë të rëndësishme kombëtare: Gëzuar Ditën e Alfabetit!/HALF24.ch





