“Kërcënimi” ndaj deputetes së AAK, policia gjatë ditës e ndaloi derisa ngiste veturën, Dardan Stubllën, për ta lëshuar më pas
Publikimi i një video nga mediat, ku pretendohet se bashkëshorti i Meliza Haradinajt, Dardan Stublla ka paguar 4000 euro për blerjen e disa votave, për ta bërë deputete ish-ministren, ka “tensionuar” raportet me tashmë deputeten Albana Bytyqi.
Pas deklaratës që Bytyqi e ka dhënë për media se po ndihet e kërcënuar nga Stublla, ka vepruar edhe Policia e Kosovës.
Nga Policia e Kosovës ia kanë konfirmuar Gazeta Blic se Stublla është ndalur gjatë ditës nga policia, derisa ai ishte duke vozitur makinën e tij.
Policia ka ndaluar një veturë në Bresje të Fushë Kosovës, por, sipas tyre prokurori i shtetit nuk ka vlerësuar se duhet iniciuar ndonjë rast.
“Lidhur me interesimin tuaj ju njoftojmë se policia ka ndaluar një veturë në Bresje Fushë Kosovë, por nuk ka iniciuar ndonjë rast ndaj drejtuesit të veturës”, ka thënë Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës, por pa dashur të jap më shumë detaje.
Ndërsa para pak çastesh, ka reaguar vetë Stublla përmes një statusi në Facebook, ku ndër të tjera ka theksuar se e ka humbur besimin në polici.
Reagimi i plotë:
Reagim publik ndaj shpifjeve të Albana Bytyqit
Në vazhdën e shantazheve ndaj meje dhe familjes sime, sapo lexova një shkrim në njërën nga portalet se znj.Albana Bytyqi më akuzon se gjoja ka pranuar mesazh kërrcënues nga unë!!!Unë në asnjë forme direkte apo indirekte nuk kam kërrcnuar askënd e aq më pak znj në fjalë e cila po shpif për mua.
Kam filluar që mos ti besojë policisë dhe prokurorisë për arsyje të mos veprimit, nesër do të i drejtohem Ambasadës Britanike meqë jam shtetas, të kërkoj ndihmë për shantazhet që po më bëhen nga grupet kriminale dhe nga znj. Albana Bytyqi.
Thërras organet e rendit të marrin me seriozitet këtë kanosje ndaj meje dhe familjes sime.Ndryshe, pas publikimit të atij video-inqizimi ku përmendet Stublla, është vendosur që të rinumërohen votat e diasporës.
Pas këtij rinumërimi, Meliza Haradinaj- Stublla e ka humbur vendin e deputetit, e në vend të saj është zgjedhur Albana Bytyqi.Menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së kanë reaguar edhe Albana Bytyqi edhe Meliza Haradinaj.