A është kjo arsyeja e bllokimit të komunikacionit nëpër rrugët e Kosovës.
Koordinatori për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Prishtinës, Bujar Abazi, është shprehur se ka dy faktorë që kanë ndikuar që të vështirësohet qarkullimi në komunikacion.
“Sasia e dendur e reshjeve të borës, duke kombinuar me largimin e gomave të dimrit dhe zëvendësimin me ato të verës, (përfundimi i sezonit sipas ligjit të trafikut) ka rënduar gjendjen në komunikacion”, ka thënë ai, njofton KlanKosova.
Ai ka thënë se janë duke punuar që të lehtësohet situata për lëvizje.
“Jemi duke intervenuar me kapacitete të plota me gjashtë kompani të kontraktuara të mirëmbajtjes në mënyrë që të normalizohet gjendja”.
Reshjet e dëborës që kanë kapluar Kosovën kanë krijuar probleme në trafik. Në disa pamje të siguruara nga Express, shihet se si janë bllokuar disa nga rrugët kryesore të shtetit.
Reshjet kanë shkaktuar probleme në qarkullim të automjeteve derisa kolona të gjata janë krijuar nëpër rrugët që dërgojnë në kryeqytetin e Prishtinës.
Kolona të gjata janë krijuar në autostradën “Ibrahim Rugova”, rrugën Prizren-Gjakovë dhe magjistralën Prizren-Prishtinë dhe magjistralën Pejë-Prishtinë.
Po ashtu në pamje shihet se si makinat kanë humbur kontrollin dhe kanë dalur nga rruga.
Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë për shkak të reshjeve të mëdha të borës.
Përmes një njoftimi, Policia ka apeluar për mbajtje të distancës mes mjeteve, përshtatje të shpejtësisë dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve, për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në njoftim.