E bëri për spital fëmijën njëvjeçar dje, e rrahu sërish në QKUK – arrestohet nëna nga Podujeva
Një njëvjeçar që nga dita e mërkurë është i shtrirë në Klinikën Neurokirurgjie në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës (QKUK). E krejt kjo si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditjet e rënda të cila dyshohet se ia shkaktoi nëna e tij.
Të njëjtën vepër e njëjta dyshohet se e ka kryer edhe sot. Kësaj here në ambientet e QKUK-së.
Rastin për Express e ka konfirmuar Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Ajo tha se nëna nga Podujeva e ka përsëritur veprën penale të dhunës, me ç’rast është ndaluar nga Policia e Kosovës për 48 orë.
“Me datën 12.03.2021 në ora 14:00, me urdhër të prokurorit të shtetit është arrestuar dhe më pas ndaluar për 48 orë e dyshuara , pasi që e njëjta dyshohet se sot rreth orës 10:00, e kishte përsëritur veprën”, thuhet në njoftimin e saj.
Se nëna e njëvjeçarit ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj fëmijës së saj ka pohuar edhe bashkëshorti i saj.
Ai në një deklaratë për T7, ka konfirmuar se dhunë ndaj njëvjecarit ka shkaktuar bashkëshortja e tij.
“Kur e kam pa djalin pa vetëdije. E mora me çu të mjeku. E lajmëruam policinë. Ata nuk morën aq shumë masa. Gruan menjëherë e kanë lëshuar”, tha ai dje.
Ndër të tjera ai tha se kjo nuk është hera e parë që bashkëshortja ushtron dhunë mbi fëmijët e tyre.
Madje para një kohe djegie të rëndë në fytyrë i kishte shkaktuar edhe fëmijës së dytë.
“Vallahun të tre fëmijët, por në këtë [njëvjeçari në spital] ka ushtruar më shumë dhunë”, ka thënë më tutje ai.
Ai tha që Policia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për bashkëshorten.
Tutje u shpreh që ai nuk dëshiron të vazhdojë martesën më bashkëshorten e tij për shkak se kjo dhunë në tre fëmijët e tyre është e pranishme çdo ditë.
Detaje për gjendjen shëndetësore të njëvjeçarit dje ka dhënë edhe drejtori i klinikes ku po qëndron i shtrirë fëmija.
“Është bërë dy herë incizimi i kokës dhe tomografia dhe është parë që ka thyerje të kafkës në anën e djathtë dhe ka edhe gjakderdhje nën cipën e trurit”, ka thënë ai, Arsim Morina, drejtor i Klinikës Neurokirurgjike.