Fjala medie sot është përhapur shumë dhe pothuaj s’ka ditë që nuk e dëgjojmë në radio, në televizion, në gazeta, në faqe interneti. Ndonëse e dëgjojmë dhe e shohim të shkruar shumë herë gjatë një dite të vetme, ende nuk e dimë trajtën e drejtë, normative të kësaj fjale kaq popullore. Ky emër me burim nga shumësi i fjalës latine medium ka disa kuptime, por këtu do të merremi vetëm me kuptimin që e ndeshim çdo ditë: gazetë, radio, televizion etj., pra, mjet informimi.
Njëjësi i pashquar i kësaj fjale bën medie, trajta e shquar media, kurse shumësi i pashquar bën (sikur njëjësi i pashquar) medie, ashtu si në trajtën e shquar që bën medie. Pra: medi/e, ~ a, medi/e, ~et. P.sh.: Kjo medie është shumë e përhapur. / Media e shkruar, sidomos gazetat në internet, kanë një numër të madh lexuesish, ndërsa gazetat që dikur i blinim në qoshqet e qyteteve tona, lexohen nga një numër fare i vogël lexuesish. / Në mediet tona hasim shumë tituj bombastikë (kjo bëhet për ta joshur, për ta tërhequr lexuesin, dëgjuesin ose shikuesin, sidomos kur këta tituj «bomba» nuk janë fare bomba).
Emra të ngjashëm me fjalën medie janë: ari/e, ~ a, ari/e, ~ et; mumi/e, ~ a, mumi/e, ~ et; speci/e, ~ a, speci/e, ~ et etj.
Marrë nga libri i autorit Hajro Hajra “Të flasim dhe të shkruajmë drejt” f. 63
Prointegra.ch / Zürich, 2024





