Rrënjët në Shalë të Bajgorës,
trup, degë e lule në Grykë të Mavriçit,
ishe dhe do të mbetesh
nga bijtë më të mirë
e më të devotshëm të fisit.
Arsimtar e bletar i dalluar,
njeri i fjalës dhe i besës,
të gjithë të donin
e të çmonin.
Nga dëshira për ta mëkëmbur familjen,
more rrugën e mërgimit.
Por, me krismat e para të pushkëve,
u ktheve nga Zvicra
dhe u bëre ushtar lirie i UÇK-së.
Së bashku me shokët,
nga Llapi deri në Shalë të Bajgorës,
luftuat që Kosova
të mos sundohej
e të mos shfrytëzohej më
nga demonët e Serbisë.
Milaim Qerimi me shokë,
yje të pashuar të lirisë,
kushdo që kalon pranë lapidarit tuaj,
ndalet me nderim
dhe lutet për shpirtrat tuaj engjëllorë.
Ju ratë dëshmorë,
me armë në duar,
duke luftuar fyta-fytas
kundër barbarëve;
aty ku shkelte këmba e tyre,
bari thahej,
toka dergjej
dhe mallkonte.
Gjaku juaj,
gjak lirie,
u bë shërim për tokën,
për diellin
dhe qiellin shqiptar!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 26 maj 2005





