“Nuk ka progres pa dialog”, Kryeministri i ri i Kosovës e pranon sfidën – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Lajme

“Nuk ka progres pa dialog”, Kryeministri i ri i Kosovës e pranon sfidën

“nuk-ka-progres-pa-dialog”,-kryeministri-i-ri-i-kosoves-e-pranon-sfiden

“S’ka progres pa dialog”, Albin Kurti e pranon sfidën.

Dialogu me Serbinë do të jetë sfida më e madhe e Albin Kurtit, kryeministrit të ri të Kosovës i cili synon të ngre padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj Serbisë për kri’min dhe gjenocidin gjatë luftës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar të hënën në seancën ku u zgjodh kryeministër se nuk mund të bëhet progres në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në dialog. Para kësaj seance, ai nuk e konsideronte prioritet të tij këtë çështje.

Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat ai përmend menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në ekspozenë e tij të shpalosur para deputetëve, Kurti tha se nuk mund dhe nuk do të bëhet asnjë kompromis me Serbinë, ndonëse para një muaji, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një letër urimi për Serbinë, theksoi marrëveshjen gjithpërfshirëse, duke përmendur një kompromis që do të kërkohet nga të dy palët për arritjen e njohjes reciproke.

“Derisa punojmë në reforma brenda vendit, po ashtu do ta reformojmë edhe qasjen tonë jashtë vendit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme janë bërë me Pakon e Ahtisaarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësisë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë. Kjo duhet të thuhet qartë dhe zëshëm në çdo tryezë e çdo takim nga secili prej nesh në mënyrë që të riparojmë dëmet që i janë shkaktuar shtetësisë në vitet e fundit, e të cilat kanë ndikuar te njohjet e reja dhe konsolidimi i shtetësisë”, tha Kurti të hënën në Kuvend.

Ai tha se dialogu me Serbinë nevojitet, por si arsye përmendi vetëm ato që duhet t’i bëjë pala tjetër. Kurti tha se prioritet në këtë proces do të jetë zgjidhja e fatit të të zhdukurve.

“Raportet tona fqinjësore do t’i avansojmë mbi bazën e reciprocitetit dhe të fqinjësisë së mirë. Me Serbinë kemi çështje të hapura që duhet të zgjidhen përmes dialogut. Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1640 persona të zhdukur. Sebia nuk e ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës, të gjitha familjet duhet ta dinë të vërtetën për familjarët e tyre, që t’i mbyllim plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi”, tha Kurti.

Ai shtoi se dialogu i nevojitet Kosovës edhe për disa çështje tjera, ndërsa nuk harroi ta përmend edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, pa të cilën tha se nuk mund të ketë normalizim.

“Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë. Na duhet dialogu për kthimin e afër 3 miliardë eurove të pensioneve të pensioneve të vjedhura nga Serbia, për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet. Pra, dialog që adreson dhe zgjidh problemet ekzistuese, e jo që krijon probleme të reja. Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve”, tha Kurti.

Para seancës ku arriti edhe njëherë qëllimin për të cilin u mundua shumë, Kurti mori pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë së re lidhur me këtë çështje. Aty kreu i Qeverisë tha se s’mund të ketë as Asociacion të komunave me shumicë serbe, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Kosovës që ta themelojë sa më shpejt.

“Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, prandaj besoj që nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës normon të drejtat dhe liritë themelore. Në anën tjetër, nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Ai përmendi edhe parimet e tij për dialogun, që është tema më me rëndësi për SHBA-në dhe fuqitë perëndimore.

“I pari, duhet pranuar realiteti; i dyti, duhet pranuar e vërteta; i treti, duhet të ulemi si të barabartë; dhe i katërti, duhet të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.

Pasi i fitoi zgjedhjet, Kurti tha se qytetarët e Kosovës kanë treguar në sondazhe se çështja e dialogut me Serbinë për ta është në vendin e 6-të apo të 7-të të prioriteteve.

“Qytetarët na kanë zgjedhur neve dhe ne u përgjigjemi atyre”, është një frazë që Kurti e përdor shpesh në raste të tilla. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë perëndimore duan ta shohin dialogun me Serbinë si çështje të rëndësishme në planin e Kurtit në qeverisje. Që pas fitores së tij në zgjedhje, atij i është bërë me dije se këtë çështje s’mund ta anashkalojë. Për të, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, erdhi në Kosovë dhe tha se pret që dialogu të rinis shumë shpejt.

Deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kanë shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Ëashington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit ka thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare. Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.

Të ngjajshme

Opozita futet në Kuvend për të votuar Ligjin për Zgjedhje

albswiss.com

Ҫka foli në takimin me Mirosllav Lajçakun, e zbulon Albin Kurti

albswiss.com

Gani Koci arrin në zyrat e EULEX-it ku do të intervistohet nga hetuesit e Speciales

albswiss.com