2.6 C
Geneva
Thursday, April 25, 2024

Osmani: Kushdo që konsideron Serbinë afër NATO-s, ofendon të gjitha viktimat e Serbisë së Millosheviqit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, që në një intervistë të martën tha se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

Në një prononcim për media pas adresimit në ditën e dytë të konferencës ‘Java e Gruas 2024’, Osmani tha se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e NATO-së, pasi sipas saj, ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar kjo aleancë.

Ajo theksoi se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia, e ai shtet është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s”, tha Osmani.

Kujtojmë se ambasadori Hill, ka deklaruar mbrëmë se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova.

“Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër gjërat me ushtrinë serbe… Tani ne punojmë së bashku shumë më tepër…”, tha Hill për RTS.

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img