2.6 C
Geneva
Thursday, April 25, 2024

Qofshi përherë të paharruar nëpër breza dhe kujtimet tona

Sot me 1 prill përkujtojmë, atë pranverë të përgjakur të vitit 1999, ku robëria serbe, gjenocidi dhe shfarosja e çdo gjeje shqiptare e cila frymonte shqip, mëtohej të shkatërrohej nga forcat paramilitare serbe. Ata vranë dhe masakruan ndër shumë të tjerë edhe pesë pjesëtarët të familjes Rexhaj nga fshati Cerrcë të Istogut.

Atë ditë u ekzekutuan dhe u dogjën trupat e Isuf (Arif) Rexhaj  dhe bashkëshortes së tij Shakes, Zykë Rexhaj së bashku me të birin e sajë të dashur Rifat Rexhaj  dhe Kadri (Avdyl) Rexhaj. Një ditë më vonë, në shtëpinë e Isuf (Arif) Rexhaj, familjarët e trishtuar i gjetën trupat e ma të dashurve të tyre të djegura dhe të dekompozuara.

« …. Erë shkrumbi, erë e shtazëve të djegura nëpër stalla, erë e karbonizuar. Asgjë nuk të jep përshtypjen e një normaliteti.

Shkrepje rafalësh të automatikëve, tutje vendbanime që digjen nën flakët e ferrit shovinist. Ecim nëpër fushë. Gjithandej dëgjoheshin të lehura qensh, pëllitje lopësh, të lëshuara nga të zotët në fushë, blegërima delesh, hingëllima kuajsh…Eci dhe shtrëngoj automatikun më fortë. Një urrejtje me lidhë këmbë e krye për armikun vrastar.

Drejtohemi te shtëpia e Isuf Arifit, aty ku një ditë më parë grupi paraprak kishte gjetur kufomat e karbonizuara. Vëmë roje në disa drejtime rrugësh nga mund të na vinte ndonjë goditje e papritur. Ora po shënonte një pasmesnate. Përmes një elektriku dore shquam në shkallët e shtëpisë një pallto gjysmë të djegur. Ishte palltoja e Kadri Avdylit. Hymë në odën e burrave. Tmerr! Pesë kufoma shtriheshin të karbonizuara në forma, trajta dhe pozicione të çrregullta.

Mbi kufomat e karbonizuara, kishin rënë copëza trarësh të djegur dhe copëza tjegullash. Aty për aty bëmë disa fotografi me blic nga Xhafer Kuqi, si dëshmi e krimeve barbare që po bënte gjithandej makineria ushtarake vrastare serbe. Trupat e karbonizuar I vendosëm në thasë plastike dhe i varrosëm në oborrin e Isuf Arifit.

Të gjithë ishim aq të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi. Megjithatë, nata po na i  mbulonte fytyrat tona si një maskë, për të mos depërtuar në mbresat e njëri-tjetrit, ndonëse gjithçka hetohej në ngjyrat e zërave tonë që dilnin herë si ngërdheshje e herë si dënesje pikëllimi… » Rrëfim nga Qerim Rexhaj.

Sot, ju kujtojmë me dhimbje por edhe me shumë krenari dhe iu përulemi përjetësisht me respektin më të madh ndaj gjakut tuaj, gurë themelit të Lirisë!

LAVDI E PËRJETËSHME!

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img