Qytetarët kalojnë në mes të rrugës pavarësisht pengesave te shkolla e Mjekësisë – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Lajme

Qytetarët kalojnë në mes të rrugës pavarësisht pengesave te shkolla e Mjekësisë

qytetaret-kalojne-ne-mes-te-rruges-pavaresisht-pengesave-te-shkolla-e-mjekesise

Qytetarët nuk përfillin pengesat e vendosura te shkolla “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Mbikalimi te shkolla e mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë ishte përuruar para tetë vjetësh, por deri më tash u shfrytëzua në masë të vogël nga qytetarët.

Së fundit, Komuna e Prishtinës vuri rrethoja duke e bllokuar rrugën që qytetarët të mos kalojnë te vendkalimi i vjetër. Kështu kjo ka shtyrë shumë qytetarë që ta shfrytëzojnë mbikalimin, por një pjesë e tyre nuk përfillin pengesat e vendosura dhe kalojnë rrugën te rrethi i flamurit.

Gentian Krasniqi, student, thotë për KosovaPress se mbikalimi te shkolla “Ali Sokoli” nuk është i shfrytëzueshëm dhe se ai vetë e ka shfrytëzuar atë për herë të parë tash pas bllokimit të vendkalimit.

“E di që bukur kohë me herët është bërë mbikalimi këtu dhe kurrë nuk është shfrytëzuar. Më ka ardhur çudi, po besoj që më shumë e kishte zgjidhur këtë çështje një semafor se sa të bllokohet vendkalimi. Vetëm dje kam kaluar (në mbi kalim) për herë të parë, hera e parë edhe e fundit”, tha ai.

Pashkë Gëzimaj thotë se shkaku i mos përdorimit të mbikalimit në këtë pjesë të qytetit bëhet për shkak të papastërtisë dhe mos mirëmbajtjes së tij.

“Çdo njeri këtu mund të jetë për ngut dhe tash mbikalimi i pa pastër. Aty mund me të shkelë ndonjë veturë se shumica e njerëzve kalojnë aty, pasi iu duket larg… Mund të jetë ndonjë invalid apo i moshuar që nuk mund të ecën dhe duhet të vendoset ashensor. Gjendja shihet se është katastrofë”, tha ai.

Magbule Ibrahimi, qytetare nga Prishtina, thotë se mbikalimi te shkolla “Ali Sokoli” po përdoret shumë pak nga qytetarët. Ajo thotë se asnjëherë nuk e ka përdorur këtë mbikalim për qarkullim.

“Edhe pse shumë rrallë e frekuentoj këtë pjesë, nuk po e shoh të arsyeshme pse një herë është hapur e tash është mbyllur. Çka është kjo punë me këto ndërtime te ne? Asnjëherë nuk kam shkuar vetëm përmes mediave që e kam pa që nuk përdoret për gjëra të këqija”, tha ajo

Sabri Rexhepi thotë se mbikalimi duhej të ishte funksional dhe se ky vendim është i duhur për sigurinë e këmbësoreve.

“Për sigurinë e këmbësorëve është vendim i duhur për momentin, megjithëse mbikalimi është dashur të jetë funksional. Tash siç po shihet edhe nga vetë gjendja çfarë është kjo nuk është në rregull. Është dashur dhe është vend i caktuar për ashensor, sigurisht për të moshuar është pak më problem, por ja gjendja është çfarë është”, tha ai.

Ndryshe, ndërtimi i këtij mbikalimi ka kushtuar 180 mijë euro. Më herët nga Komuna e Prishtinës ishte thënë se ky mbikalim shfrytëzohet vetëm nga 10 për qind e këmbësorëve, nga 80-90 për qind e tyre që është paraparë ta shfrytëzojnë atë.

Mbikalimi u ndërtua në mënyrë që qytetarët të mos jenë të rrezikuar nga veturat e shumta. Ngarkesa bëhet më e madhe për faktin se në afërsi të atij lokacioni gjendet stacioni i autobusëve urban, Shkolla e mesme e medicinës, ambulanta, QKUK, si dhe Stacioni ndërurban në relacionin Gjilan-Prishtinë dhe Ferizaj-Prishtinë.

Të ngjajshme

Dorëzohet në polici edhe djali i 54-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e të miturit në Drenas

albswiss.com

Infermieri i Infektives rrëfen momentet e dhimbshme me pacientët: Hiqma oksigjeni e më lër të vdes

albswiss.com

E konfirmon Prokuroria e Prishtinës: Ka aktakuzë ndaj Liburn Aliut

albswiss.com