Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit që pati me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, dhe me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
“Kam zhvilluar një takim sot, me emisarin amerikan Shkëlqesinë e tij Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shkëlqesinë e tij Miroslav Lajčak. Gjithashtu ishte kënaqësi ta takoja Ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Shkëlqesinë e tij Jeffrey M. Hovenier”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Haradinaj thotë se “Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Gjithashtu i falënderova për angazhimin e tyre, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për Republikën e Kosovës”, tha Haradinaj.





