I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Reeker, ka njoftuar të enjten se ka mbajtur një takim me ambasadorin e Kosovës atje, Ilir Kapiti.
Takimin e ka bërë të ditur vetë Reeker me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke thënë se integriteti territorial dhe sovraniteti do të mbështetet në vazhdimësi nga shteti i tij, shkruan lajmi.
“Më vjen mirë që u takova me ambasadorin e Kosovës, Ilir Kapiti, për të diskutuar se si SHBA-ja mund të vazhdojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Reeker në Twitter.

Për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ka folur edhe i dërguari i veçantë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përgjatë një vizite tre-ditore që e realizoi në Kosovë.





