Shqipja në mërgim: midis familjes dhe shkollës


- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Roli i familjes shqiptare në Zvicër në ruajtjen e gjuhës amtare

Në realitetin e sotëm të migrimit, ruajtja e gjuhës amtare përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe njëkohësisht më të rëndësishme për komunitetet shqiptare në diasporë. Në Zvicër, ku brezat e rinj rriten në një mjedis shumë gjuhësor dhe ndërkulturor, shqipja shpesh mbetet e kufizuar në hapësirën familjare, duke qenë nën ndikimin e vazhdueshëm të gjuhëve dominuese të shkollës dhe jetës publike. Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore: a do të arrijë familja shqiptare ta ruajë dhe ta transmetojë shqipen si një pasuri të gjallë tek brezi i ri?

Pikërisht këtu qëndron roli vendimtar i familjes si institucioni i parë i zhvillimit gjuhësor, por edhe nevoja e domosdoshme për ta mbështetur këtë rol përmes një sistemi të organizuar të mësimit plotësues. Marrëdhënia ndërmjet familjes dhe shkollës shndërrohet kështu në një faktor kyç për mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në diasporë, si dhe për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të fëmijëve shqiptarë në Zvicër.

Familja shqiptare në mërgim përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme sociale për ruajtjen, kultivimin dhe transmetimin ndër brezor të gjuhës shqipe. Në kushtet e një mjedisi shumë gjuhësor, siç është ai i Zvicrës, roli i familjes bëhet i pazëvendësueshëm në ndërtimin e kompetencave të para gjuhësore dhe në formësimin e identitetit kulturor të fëmijëve. Megjithatë, ndonëse funksioni i saj është themelor, familja nuk mund të zëvendësojë plotësisht rolin e mësimit të organizuar dhe sistematik që ofron shkolla.

Përvoja disa dekadëshe e mërgatës shqiptare në Zvicër dëshmon se familja ka ushtruar një ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e zotërimit ose të humbjes së gjuhës shqipe te brezat e rinj. Pavarësisht shtrirjes së shkollave të mësimit plotësues në shumë kantone, pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në këto institucione mbetet relativisht e ulët. Ky fenomen përbën një shqetësim serioz, pasi në një periudhë relativisht të shkurtër vërehet dobësim i ndjeshëm i kompetencës në shqipen e folur, madje në disa raste edhe humbje funksionale e saj.

Një ndër faktorët kryesorë që ndikon në këtë prirje është praktika gjuhësore brenda familjes. Në shumë raste, prindërit zgjedhin të komunikojnë me fëmijët e tyre në gjuhën e vendit pritës (frëngjisht, gjermanisht apo italisht), edhe kur të dy prindërit janë shqipfolës. Kjo zgjedhje, e paarsyetuar nga nevoja reale e komunikimit, ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e transmetimit natyror të gjuhës amtare.

Nga perspektiva sociolinguistike, familja përbën hapësirën e njohurive të para gjuhësore, ku fëmijët përvetësojnë strukturat bazë të komunikimit. Në këtë kuadër, familjet emigrante mbajnë një përgjegjësi të veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare përmes praktikave të qëndrueshme dhe të vetëdijshme gjuhësore. Kjo përgjegjësi konkretizohet në disa dimensione kryesore:

Së pari, përdorimi sistematik i gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm familjar është kusht themelor për zhvillimin e kompetencës gjuhësore. Bisedat e përditshme, rrëfimet familjare, leximi i tregimeve dhe diskutimet mbi përvojat e përditshme krijojnë një mjedis të pasur gjuhësor, i cili ndihmon në zhvillimin natyror të shqipes.

Së dyti, përfshirja e fëmijëve në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe është një komponent i domosdoshëm për plotësimin e asaj që familja nuk mund ta ofrojë në mënyrë të strukturuar. Në këto shkolla zhvillohen në mënyrë të integruar katër aftësitë themelore gjuhësore: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Veçanërisht e rëndësishme është përvetësimi i gjuhës së shkruar, e cila mundëson zgjerimin e fjalorit, përmirësimin e shprehjes dhe zhvillimin e mendimit kritik. Njëkohësisht, këto institucione ndihmojnë në orientimin e nxënësve ndërmjet variantit standard dhe varieteteve dialektore, si dhe në kufizimin e ndikimit të tepruar të huazimeve nga gjuhët e vendit pritës.

Së treti, praktikat kulturore familjare, si kremtimi i festave tradicionale dhe ruajtja e zakoneve, përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm për lidhjen e gjuhës me kulturën. Në këto kontekste, gjuha përdoret në mënyrë funksionale dhe simbolike, duke forcuar përkatësinë kulturore të fëmijëve.

Së katërti, ekspozimi ndaj materialeve në gjuhën shqipe, përfshirë libra, revista, filma dhe muzikë, kontribuon në zhvillimin e kompetencave receptive dhe produktive. Këto burime i ndihmojnë fëmijët të njohin regjistra të ndryshëm gjuhësorë dhe të pasurojnë përvojën e tyre gjuhësore.

Së pesti, përdorimi i teknologjisë dhe mediave digjitale ofron mundësi të reja të praktikës gjuhësore në mënyrë të vazhdueshme. Komunikimi me të afërmit në vendlindje dhe me bashkëmoshatarët përmes platformave digjitale krijon situata autentike të përdorimit të shqipes.

Së fundi, përkrahja emocionale dhe motivimi nga ana e prindërve janë faktorë vendimtarë në qëndrimin e fëmijëve ndaj gjuhës amtare. Vlerësimi i përpjekjeve të tyre dhe krijimi i një klime pozitive ndaj shqipes ndikon drejtpërdrejt në suksesin e tyre gjuhësor.

Në përfundim, familja shqiptare në mërgim mbetet institucioni themelor në ruajtjen e gjuhës amtare, duke krijuar bazën e parë të zhvillimit gjuhësor dhe kulturor. Megjithatë, vetëm përmes një ndërveprimi të qëndrueshëm ndërmjet familjes dhe shkollës mund të sigurohet transmetimi i plotë dhe i qëndrueshëm i shqipes te brezat e rinj. Ky bashkëpunim përbën një parakusht të domosdoshëm për ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar në diasporë.

Gjenevë, 05.05. 2026                            Nexhmije Mehmetaj

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img