Shumë kandidatë për kryetar të LDK-së, garë demokratike apo matematikë kundër Abdixhikut? – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Lajme

Shumë kandidatë për kryetar të LDK-së, garë demokratike apo matematikë kundër Abdixhikut?

shume-kandidate-per-kryetar-te-ldk-se,-gare-demokratike-apo-matematike-kunder-abdixhikut?

LDK-ja në fund të kësaj jave e zgjedh kryetarin e ri, ndërsa pretendentët që po synojnë ta marrin drejtimin e partisë po shtohen dita-ditës. Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, e vlerëson pozitivisht këtë, e analistja Donika Emini i sheh kandidaturat e shumta si mungesë konsensusi që mund të shkaktojë probleme pas së dielës. Sipas gazetarit Parim Olluri, kandidatura e Besian Mustafës është lojë për ta minimizuar mundësinë që Lumir Abdixhiku të zgjedhet kryetar. Madje ai paralajmëron dy kandidatura të tjera, sipas tij, të sponsorizuar nga “garda e vjetër” e LDK-së.

Katër zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë në garë për ta udhëhequr partinë. Në një komunikatë të LDK-së të martën u përmend se ditëve të ardhshme do të ketë edhe kandidatë të tjerë që do të paraqiten. Kandidaturën e fundit të Besian Mustafës, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj e sheh si kontribut në garë. Ai nuk vëren ndonjë matematikë pas kandidimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Duke komentuar supozimet se Besian Mustafa nuk është në të vërtetë në garë për kryetar, por se po kandidon vetëm për ta minimizuar përkrahjen ndaj Lumir Abdixhikut, Mushkolaj ka thënë për Express se koston e dështimit e mbart vetëm ai që s’arrin të zgjidhet kryetar.

“Në fakt edhe Z. Mustafa e shpalli kandidaturën, sikurse Z. Abdixhiku. Unë nuk konsideroj se ka diçka të keqe në këtë aspekt. Tek e fundit, unë nuk besoj se Z. Abdixhiku ka diçka më pak ose më shumë se Z. Mustafa. Të dytë pak a shumë i takojnë gjeneratës së njëjtë dhe për mua do të ishte absurde për cilindo kandidat që thuhet se hyn në garë për me i prishë punë tjetrit. Realisht garë ka për për të marrë vota dhe çdo dështim në garë në fakt e mbart koston individuale të atij që ka hy në garë. Me këtë logjikë, këtë e shoh thjesht si pasurim të garës, nuk e shoh në këtë aspektin se kush hyri në garë për t’i marrë vota tjetrit”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas gazetarit Parim Olluri, kandidaturat si ajo e Besian Mustafës po bëhen për ta minimizuar numrin e votave që Abdixhiku mund të marrë nga delegatët.

“Besian Mustafa nuk është kandidat për kryetar të LDK-se! “Kandidatura” e tij është një përpjekje për ta dëmtuar Lumir Abdixhikun. Për t’ia marre disa vota Abdixhikut. Qe të dielën te këtë me pak vota se sa Lutfi Haziri”, ka shkruar Olluri të mërkurën në Facebook.

Ndërkaq mbrëmë (e enjte) drejtori i Gazetës Online “Insajderi” ka shkruar se “garda e vjetër” e LDK-së po përgatit dy kandidatura të tjera.

“Po përgatiten edhe dy kandidat tjerë për kryetar te LDK-se. Garda e vjetër ne aksion! Ka rrezik qe te bëhen ma shume kandidat për kryetar se sa qe ka deputet LDK-ja”, ka shkruar Olluri në Facebook.

Analistja Donika Emini s’e përjashton mundësinë që të ketë kalkulime pas kandidaturave të shpallura. Për të, shpallja e kandidaturës nga Besian Mustafa është e befasishme.

Por, duke konsideruar se kandidaturat mund të jenë normale, Emini vlerëson se problemi më i madh i tyre do të jetë pas zgjedhjeve në LDK. Ajo sheh se ky polarizim mund t’i sjellë probleme të brendshme partisë, që në duar ende e ka për ta trajtuar rezultatin më të keq të arritur ndonjëherë në historinë e saj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

“Unë e pashë të befasishme vetëm Besianin, sepse këto të triat [kandidaturat e Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikun dhe Anton Qunit] veçse janë folur më herët dhe ka pasur ambicie të shpërfaqura edhe paraprakisht. Kjo e Besian Mustafës ishte diçka e re që ndoshta mundet me qenë edhe për shkak të prishjes së matematikave, mirëpo kjo më shumë po reflekton edhe në mungesën e konsensusit në raport me atë se kush do ta udhëheq LDK-në pas zgjedhjeve”, ka thënë Emini.

“Kështu që, po reflekton një polarizim të brendshëm që mundet me qenë problematik pas zgjedhjeve sesa që do të jetë problem në proces. Megjithatë gara është e hapur dhe demokratike. Mund të kandidojë secili që ka ambicie tek e fundit”, ka shtuar ajo.

Sidoqoftë, Mushkolaj thotë se s’bën të spekulohet dhe të lidhen kandidatët aktualë për kryetar me ndonjë emër zyrtari të partisë, i cili tash ka pushtet të madh brenda.

Me rëndësi, sipas tij, është që gara të zhvillohet në mënyrë demokratike.

“Ne kemi dëgjuar dhe lexuar edhe pretendime se X personi mund të jetë kandidat i një grupi të caktuar. P.sh Z. Mustafa mund të jetë kandidat i grupit rreth Agim Veliut, por nëse spekulojmë, të njëjtën mund ta themi edhe për Lumir Abdixhikun. Lumir Abdixhiku mund të jetë kandidat i Isa Mustafës, duke pasur parasysh edhe të kaluarën e tij në Riinvest, etj, etj. Pra, përtej spekulimeve, për mua është e rëndësishme që në LDK të ndodhë garë demokratike, të tejkalohet ai neni i famshëm që nuk e lejon garën demokratike brenda LDK-së”, ka thënë Mushkolaj.

Ai shton se “është e çuditshme se si gara ndërmjet dy kandidatëve kushtimisht, qenka më demokratike sesa gara ndëmjet 4, 5 apo 6 kandidatëve”.

“Pra, sa më shumë kandidatë – natyrisht me objektiva të qarta dhe platforma të qarta për LDK-në – për mua përbëjnë një garë më të mirë”.

Analistja Donika Emini, megjithatë është e bindur se gara e vërtetë është ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Ajo nuk harron ta përmend as rolin dhe ndikimin e kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, duke theksuar se ka shumë rëndësi që kryetari i ri të mos jetë i varur nga ai.

“Gara e vërtetë është absolutisht ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Ka një mbështetje të jashtëzakonshme për Lumirin, për shkak që po shihet edhe si gjeneratë e re brenda LDK-së dhe përkon që megjithatë mund ta kthejë elektoratin e ri, sepse e dimë shumë mirë se ata që e kanë votu LDK-në janë persona të moshës më të vjetër dhe kjo ndoshta përveç që përçon mesazhin se një gjeneratë e re po e udhëheq LDK-në, është edhe kjo ndërlidhja e Z. Abdixhiku me një elektorat që është relativisht i ri. Megjithatë, problematike do të jetë se sa personi që vjen në krye të LDK-së do të jetë i pavarur prej ndikimit që vjen nga Z. Isa Mustafa. Pavarësisht dorëheqjes së tij, shihet qartë se ka një ndikim të madh në LDK”, ka thënë Emini.

Mushkolaj i sheh në garë edhe Anton Qunin e Besian Mustafën, ndërsa thotë se s’mund të thuhet se cila do të jetë gara e vërtetë në ditën e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.

“Nuk e di [a është gara e vërtetë ndërmjet Hazirit dhe Abdixhikut], ne duhet të analizojmë në bazë të disa supozimeve ose disa provave që janë tash. Ta zëmë, delegatët që do ta zgjedhin kryetarin e ri, janë të njëjtit delegatë të cilët kanë qenë edhe në Kuvendin e vitit 2019. Tash gara mbetet jo vetëm te këta dy [Abdixhiku dhe Haziri], por edhe te dy të tjerët [Quni dhe Mustafa] që të provojnë të lobojnë që të fitojnë vota sa më shumë. Kështu që, përnjëmend tash për tash nuk e di, nuk i jap vetes të drejtën të them se gara ndërmjet kujt mundet me qenë më e fortë”, ka thënë Mushkolaj, i cili shtoi se e mirëkupton secilin kandidat që provon të imponohet në synimin për ta marrë udhëheqjen e partisë.

“Por sërish e them, për këta njerëz do të vendosin ata 300 e sa delegatët që do ta ngrisin dorën në Kuvendin e LDK-së”, ka thënë Mushkolaj.

Të dielën, 335 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Atë ditë, siç parasheh statuti, zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.

Të ngjajshme

A po i bashkohet Kurtit në Qeveri? – Flet Kadaj-Bujupi

albswiss.com

Shkoi në shkollë, e nuk u kthye më, zhduket vajza nga Hajvalia

albswiss.com

“Këta deputetë të LDK-së janë kategorikisht kundër Vjosa Osmanit për presidente”

albswiss.com