Grupi kriminal Akira dyshohet se ka vjedhur të dhëna sensitive nga sistemi i arkës federale të pensioneve Publica. Në mesin e informacioneve të ekspozuara mund të jenë numrat AHV, pagat, kursimet pensionale dhe të dhënat bankare.
Një sulm kibernetik ndaj një kompanie që ofron shërbime softuerike për arkat e pensioneve në Zvicër ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave personale të mijëra punonjësve dhe pensionistëve.
Grupi i njohur i hakerëve Akira dyshohet se ka vjedhur informacione nga kompania PK Softech, furnizuese e softuerit për arkën federale të pensioneve Publica. Sipas një hulumtimi të Radiotelevizionit Zviceran (SRF), hakerët kanë kërkuar shpërblim financiar dhe kanë kërcënuar se të dhënat e vjedhura do t’i publikojnë ose do t’i shesin.
Sipas raportimit, Departamenti Federal i Mbrojtjes (VBS) është në dijeni të shantazhit.
Sulmi ndaj kompanisë PK Softech, me seli në Reinach pranë Bazelit, u zbulua në fund të shtatorit. Autoritetet federale dyshojnë se mund të jenë prekur të dhënat e një pjese shumë të madhe të personelit federal, përfshirë edhe punonjës të Shërbimit të Inteligjencës dhe të Policisë Federale (Fedpol), të cilët në kuadër të punës së tyre përdorin identitete të rreme brenda dhe jashtë vendit.
Berna mohon pagesën e shpërblimit për hakerët
Pavarësisht raportimeve për shantazh, autoritetet zvicerane deklarojnë se nuk është paguar asnjë shpërblim.
Sekretariati Shtetëror për Politikë të Sigurisë (Sepos) i tha agjencisë Keystone-SDA se institucionet federale të përfshira në trajtimin e rastit nuk kanë informacion për ndonjë kërkesë konkrete për shpërblim.
Edhe kompania PK Softech dhe arka e pensioneve Publica deklaruan se nuk kanë marrë kërkesa të tilla dhe se nuk janë në kontakt me grupin e hakerëve.
Publica njoftoi se deri më tani nuk ka pasur raportime nga persona që pretendojnë se janë kontaktuar apo dëmtuar si pasojë e incidentit. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Federale e Zvicrës.
Zëdhënësja e qeverisë, Nicole Lamon, konfirmoi se Këshilli Federal e ka diskutuar këtë çështje në mbledhjen e tij, por pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, Zyra Federale për Sigurinë Kibernetike rekomandon që viktimat e sulmeve të tilla të mos paguajnë shpërblime dhe ta raportojnë rastin tek autoritetet policore.
Çfarë të dhënash personale mund të kenë rënë në duart e hakerëve?
Sipas informacioneve të publikuara nga Publica, sulmi mund të ketë ekspozuar një sërë të dhënash veçanërisht të ndjeshme të personave të siguruar.
Në mesin e informacioneve që mund të jenë prekur përfshihen:
- Emri dhe mbiemri, si dhe datëlindja.
- Numri personal AHV.
- Adresa e banimit dhe numri i telefonit.
- Adresat elektronike.
- Të dhënat mbi pagën dhe kursimet pensionale.
- Gjendja martesore.
- Numrat e llogarive bankare.
Publica administron të dhënat pensionale të rreth 70 mijë personave aktivë të siguruar dhe 42 mijë pensionistëve.
Megjithatë, institucioni thekson se kursimet pensionale nuk janë në rrezik dhe pagesat e pensioneve vazhdojnë normalisht.
Edhe arkat e pensioneve të Migros-it dhe Postës në verifikim
Shqetësimi nuk kufizohet vetëm te Publica. Kompania PK Softech ofron shërbime edhe për institucione të tjera pensionale në Zvicër.
Në mesin e tyre janë arkat e pensioneve të Migros-it, Postës Zvicerane, kantonit të Bernës dhe mësuesve të Bernës.
Pas zbulimit të sulmit, edhe këto institucione kishin nisur verifikimet për të përcaktuar nëse të dhënat e anëtarëve të tyre janë prekur nga incidenti kibernetik.
Kjo e zgjeron potencialisht numrin e personave që mund të jenë të ekspozuar ndaj keqpërdorimit të të dhënave personale.
Paralajmërim për të gjithë të siguruarit në Zvicër
Publica u bën thirrje të gjithë personave të siguruar që të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj telefonatave, SMS-ve dhe e-maileve të pazakonta.
Rreziku është që informacionet e vjedhura të përdoren për mashtrime, tentativa për vjedhje identiteti apo sulme të tjera përmes të ashtuquajturit phishing.
Në veçanti, qytetarët duhet të kenë kujdes nga mesazhet që paraqiten sikur vijnë nga arka e tyre e pensioneve dhe kërkojnë të dhëna personale, informacione bankare apo konfirmim të identitetit.
Këshilla për të siguruarit: Mos hapni lidhje të dyshimta, mos jepni numrin AHV apo të dhënat bankare përmes mesazheve dhe verifikoni çdo kërkesë të pazakontë drejtpërdrejt me institucionin përkatës.





