Protesta e zhvilluar të shtunën në afërsi të Qeverisë së Kosovës përfundoi edhe me disa incidente.
E këto incidente u shkaktuan pikërisht nga pjesëtarë të Partisë Socialdemokrate.
Në pamjet e publikuara nga mediat, por edhe në rrjete sociale shihet momenti kur anëtari i PSD-së, Adem Megjuani godet në kokë zyrtarin policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Duke mos e lënë më kaq në hyrje të objektit të Qeverisë së Kosovës, kreu i PSD-së Dardan Molliqaj shihet teksa godet me shuplakë njërin prej policëve të Kosovës.
Pavarësisht kësaj, Mollqaj tha se policia ka dështuar në protestën e së shtunës e që sipas tij nuk ka marrë ftesë për t’u intervistuar.
Por burime të lajmi. net bëjnë të ditur se Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani janë në kërkim policor.
Molliqaj dhe Megjuani janë shpallur në kërkim pikërisht për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”, ku theksohet të jenë lënduar disa policë.
Protesta e së shtunës ishte organizuar në kundërshtim të rritjes së çmimit të faturave të energjisë elektrike.
Edhe pse një numër i madh i qytetarëve i ishin bashkuar kësaj proteste, drejtimin e saj e bëri pikërisht Molliqaj.
Në një reagim të bërë mbrëmë në Facebook, Molliqaj deklaroi se ishte provokuar nga zyrtarët policorë.
Postimi i plotë:
Përgjegjësia mbi incidentin më takon mua
Të dashur qytetarë,
Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal.
Jo për t’i bërë bisht paragrafit me lart por një sqarim mbi rastin është i nevojshëm. Ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kanë ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyer, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar.
Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim.
Dua ta sqaroj se PSD nuk e ka dhunën mjet as qëllim. Por, futja e protestës në këtë regjistër është paralajmërim. Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit.
Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit.





