Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Adrijana Hoxhiqit.
Supremja në Arsyetimin e saj ka konstatuar se është e pranueshme gjendja faktike e PZAP’së se nga provat në shkresat e lëndës është provuar se numri I votave të fituara nga Adrijana Hoxhiq nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkurruar.
“Gjykata Supreme, e pranon në tërësi gjendjen faktike të konstatuar nga PZAP, pasi që me provat që gjenden në shkresat e lëndës, provohet në mënyrë të plotë dhe të besueshme gjendja faktike e konstatuar nga PZAP. Nga provat në shkresat e lëndës respektivisht nga hetimi i Panelit, është provuar se numri i votave të fituara nga subjekti politik Ujedinjina Zajednica – Adrijana Hodzic, nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkurruar, si përfaqësues në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurtë 2021, në Komuna të caktuara. Nga provat që ka siguruar Paneli, veçanërisht nga raporti i OSBE, ka rezultuar se numri i banorëve të komunitetit boshnjak në komunat veriore është si vijon: Mitrovicë e Veriut 1,000 banorë, Zvecan 300, Zubin Potok nuk ka, Leposavic 350 banorë, ndërsa numri i votave për komunitetin boshnjak në këto Komuna është në disproporcion me numrin e banorëve në masë të theksuar. Kjo rrethanë është konfirmuar edhe me krahasimet e të dhënave për votuesit në zgjedhjet paraprake (2017 dhe 2019) në raport me zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Supremes.
UZ-Adrijana Hoxhiq i janë anuluar në tërësi 2276 fletëvotime ndërkaq pjesërisht i janë anuluar 1929 fletëvotime.
Hoxhiq në rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ ka marrë 5183 vota, ndërsa nga fletëvotimet e anuluara për partinë e saj figurojnë gjithsej 4205 të tilla që ia pamundësojnë futjen në Kuvend.