Çka ndodh kur një vend vepron në kundërshtim me vendet e tjera dhe e vonon vënien e masave për menaxhim të pandemisë? E fiton vendin e parë me vdekje në Evropë me mbi 125 mijë të vdekur, rreth 30 mijë prej të cilave do të parandaloheshin me vënie të masave me kohë. Kjo është e vërteta e zymtë e Britanisë së Madhe dhe ajo çka proporcionalisht mund ta presë Kosovën nëse vazhdon ta shpërfillë pandeminë.
Deri më tash Kosova nuk është shkundur nga pandemia sikurse perëndimi dhe kjo ka krijuar një iluzion se koronavirusi nuk është edhe aq i rrezikshëm apo ndoshta edhe nuk ekziston fare. Javët në vijim do ta bëjnë të qartë sa i gabuar është ky iluzion kur Kosova me shumë gjasa pritet ta përjetojë fazën më të rrezikshme të pandemisë.
Të premten që shkoi Kosova regjistroi 730 persona të infektuar, që përbën 22% të mostrave të testuara atë ditë. Organizata Botërore e Shëndetësisë konsideron se pandemia është jashtë kontrollit dhe në rritje nëse një vend raporton më shumë se 5% rezultate pozitive. Kosova po sillet rreth trefish më shumë sesa kufiri.
Këto shifra qartazi tregojnë nivelin e keqmenaxhimit të pandemisë në Kosovë nga autoritetet vendimmarrëse shëndetësore, e po ashtu edhe mungesë të disiplinës nga popullata, e cila ka filluar të jetojë kinse pandemia nuk ekziston. Fatura e sjelljeve të tilla ka filluar të vijë.
Ardhja e variantit britanik në Kosovë ka nxituar përhapjen e pandemisë. Mungesa e masave të distancimit po ia mundëson virusit ta arrijë qëllimin e kalimit prej personit në person dhe të përhapet – sidomos varianti britanik që ka deri në 70% përhapje më të lartë. Me rritje të qarkullimit të virusit rritet edhe mundësia e tij për të pësuar mutacione – rast ky kur virusi ndryshon vetitë dhe mund të bëhet më agresiv – siç po ndodh në Brazil. E kur krejt kjo ndodh në një vend që nuk e ka vaksinuar as edhe një person, atëherë në aspektin epidemiologjik Kosova shndërrohet në një laborator me 2 milionë njerëz.
E ndodhur para një udhëkryqi të tillë, Kosova duhet urgjentisht të ndërmarrë masa në këto tri rrafshe:
E para, masat e distancimit duhet të rikthehen në mënyrë rigoroze. Kjo nuk nënkupton mbyllje si ajo e marsit të 2020-s, po megjithatë masa të rrepta që e pranojnë realitetin nëpër të cilin po jetojmë. Gastronomisë dhe dyqaneve jo-esenciale duhet t’u kufizohet orari i punës – e kjo nuk është çështje qejfi, por domosdoshmëri. Ato lokale që mbesin të hapura me orar të reduktuar, duhet të sigurojnë distancë midis tavolinave/personave dhe të funksionojnë me deri 30% të kapacitetit. Kosova nuk mund të jetë unike në mosprekje nga virusi kur i anashkalon masat që pjesa dërrmuese e botës po i ndërmerr.
E dyta, politikanët, analistët dhe personat që gëzojnë hapësirë mediale duhet ta kuptojnë rëndësinë e sjelljeve të tyre dhe shembullin e gabuar që e japin para popullatës së gjerë. Që nga marsi 2020, vetëm 22% e popullsisë janë prekur nga koronavirusi dhe kjo nënkupton se pjesa dërrmuese e popullatës vazhdon të përballet me rrezikun e infektimit. Pra, Kosova është shumë larg imunitetit të tufës. Kësaj duhet shtuar edhe fakti se imuniteti që krijohet me kalimin e virusit nuk është i qëndrueshëm. Është qenësore ta kemi parasysh se pandemia është çështje e shëndetit publik dhe e shkencës, andaj të lartpërmendurit duhet të përmbahen nga opinionet e zhvilluara brenda natës për çështje të ndërlikuara shkencore dhe epidemiologjike. Analistët politikë dhe shoqërorë nuk i posedojnë njohuritë e duhura për të dhënë opinion mbi pandeminë apo masat. Sikurse në të gjithë botën, edhe në Kosovë janë shkencëtarët, mjekët dhe epidemiologët këshillat e të cilëve duhet të dëgjohen.
E treta, Kosovës i duhet një strategji e udhëhequr nga teknokratë për sigurim të vaksinave dhe një program adekuat për vaksinimin. Në bazë të raporteve, Kosova ende nuk ka bërë as edhe një porosi për vaksina dhe kjo paraqet rrezik të madh karshi periudhës që me shumë gjasë po e pret vendin. Sa më shumë vonohet porosia, aq më shumë do të zgjasë pritja për vaksina, kërkesa për të cilat veçse është enorme në nivel global. Në këtë aspekt, dy prej shteteve mike të Kosovës janë duke udhëhequr një proces shembullor të vaksinimit. Andaj, Kosova duhet që urgjentisht t’i kontaktojë Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmë drejt sigurimit të dozave të vaksinës.
Së fundi, dhe pa dashur të krijoj panik, nëse vazhdohet me avazin e deritanishëm, Kosova nuk do të jetë larg të qenët nikoqire e një mutacioni kosovar. Me shpejtësinë e përhapjes së virusit që po e shohim në Kosovë, virusit po i jepet mundësi ideale për t’u mësuar se si të bëhet më agresiv dhe superior e edhe më vdekjeprurës – ashtu siç ndodhi në Britani të Madhe, Brazil dhe Afrikë të Jugut. Fakti se nuk kemi raportuar për diçka të tillë deri më tash, nuk do të thotë se ajo nuk ka ndodhur – veçse ne nuk i kemi kushtet e testimit të gjenomit të virusit për të detektuar ndryshime të tilla.
Andaj, vend për hamendje nuk ka dhe hapat urgjentë janë të domosdoshëm!