Kosova shpreson t’i marrë vaksinat anti-Covid në mars.
Kosova nuk ka arritur që të marr asnjë dozë të vaksinës anti-COVID gjatë muajit shkurt, përkundër që ishte premtuar se COVAX do ta furnizojë vendin me një 100 mijë e 800 doza. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se furnizimi me vaksinat e para do të vjen shumë shpejt, raporton Gazeta Express.
Përkundër deklarimeve që Kosova do të furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina të COVAX në muajin shkurt, vendi vazhdon të jetë një ndër shtetet e vetme në rajon që ende nuk është furnizuar me asnjë dozë të vaksinës.
COVAX gjatë muajit shkurt ka filluar furnizimin me vaksina, por që Kosova nuk ishte në listën e shteteve të para për tu furnizuar.
Furnizimi me vaksinat e COVAX pritet të bëhet gjatë muajit mars, ndonëse nuk është dhënë ndonjë datë e saktë.
Zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi”, kanë thënë për Express se COVAX parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të dërgesave të bëhet në këtë muaj.
Informacione tjera në lidhje me furnizim sipas kësaj aleance, do të publikohen gjatë ditëve në vijim.
“COVAX parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të dërgesave të bëhet në mars, më shumë informacion në lidhje me këto dërgesa të para do t’u komunikohet të gjithë pjesëmarrësve dhe do të publikohet në internet në ditët në vijim”, është thënë nga “Gavi”.
Ndërsa, përmes një komunikate për media, nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, zyret e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e UNICEF në Kosovë, është thënë se furnizimi me vaksinat e para kundër COVID-19 do të bëhet shumë shpejt.
Në komunikatë u tha se Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara për ta siguruar vaksinën, por prioritet i është dhënë shteteve me situatë më të rënduar epidemiologjike, e shteteve që paraqesin treg më të madh se Kosova.
“MSh bashkë me IKSHPK, Zyrën e OBSH-së dhe Zyrën e UNICEF-it, pas përmbushjes së të gjitha kushteve, po pret konfirmimin final për marrjen e dozave të para të vaksinave kundër COVID-19, përmes mekanizimit COVAX”, është thënë për media.
Mirëpo, për mosfurnizimin e vendit me vaksina, anëtarë të subjekteve politike po fajësojnë Ministrinë e Shëndetësisë.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express se Kosova do të furnizohet e fundit në rajon e botë, për shkak të paaftësisë dhe neglizhencës së Qeverisë.
Ai ka pasur kritika edhe për Lëvizjen Vetëvendosje e cila pritet të vie në krye të Qeverisë, duke thënë se as ata nuk e kanë prioritet vaksinimin.
“Mua më vie keq që po ndodh ajo që jam frikësuar më së shumti dhe për çfarë e kam ngritur shqetësimin me kohë, që Kosova do të jerë vend i fundit jo vetëm në Evropë por edhe në botë sa i përket furnizimit me vaksina. Kjo për shkak paaftësisë dhe neglizhencës të qeverisë që është në ikje, ndërsa duket që edhe qeveria në ardhje nuk do ta ketë prioritet vaksinimin, pasi në deklarimet e deritanishme kemi parë premtime të natyrave tjera, por jo edhe një angazhim për sigurim të vaksinës”, ka thënë ai.
Haxhiu është shprehur se më shumë po provokohet që në vend të krijohet një krizë e re se sa të sigurohen vaksinat për qytetarët.
Përndryshe, vaksinimin e kanë parë si shumë të rëndësishëm infektologët në vend.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se urgjentisht duhet të fillojë vaksinimi i popullsisë.
Ai është shprehur se ka mbajtur shpresa që furnizimi me vaksina do të bëhej në muajin shkurt, por që tani shpreson që vaksinat të vinë gjatë këtij muaji.
“Ne kemi shpresuar që në fillim të shkurtit do të fillojë një vaksinim i cili do të kishte me qenë shumë i rëndësishme në uljen e infektimeve. Kam shpresë mos në mars do të jetë një dritë në vaksinimin e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Derisa vendi nuk është furnizuar me vaksina, numri i rasteve të reja të infektuara me koronavirus po vazhdon të jetë i lartë.
Deri tani, 69 mijë e 697 persona kanë rezultuar pozitiv me këtë virus.
Me praninë edhe të variantit të ri anglez, infektologu Ramadani ka deklaruar se numri i rasteve të infektuara me koronavirus do të rritet edhe më shumë.
Ndërsa, kujtojmë që për dallim nga Kosova e cila nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, shumë shtete të rajonit tashmë kanë vaksinuar një pjesë të popullsisë.