Ftesa për vizitë kthimi i është drejtuar asaj në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Kosovës. Por, që nga nëntori i vitit 2020, Vjosa Osmani ka marrë gjithashtu edhe pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës
Kryetari i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Kombëtar Andreas Aebi (SVP) do të presë Vjosa Osmanin, kryetare e Parlamentit të Kosovës, në Bernë më 3 mars 2021. Është kjo vizita e parë ndërkombëtare e Osmanit që nga suksesi elektoral i partisë së saj dy javë më parë”, bëjnë të ditur për albinfo.ch shërbimet administrative të Parlamentit të Zvicrës .
Vizita zyrtare e Vjosa Osmanit në Bernë ka rëndësi të veçantë: ftesa për vizitë kthimi i është drejtuar asaj në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Kosovës. Por, që nga nëntori i vitit 2020, Vjosa Osmani ka marrë gjithashtu edhe pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës.
Gjatë pritjes zyrtare në Bernë, Andreas Aebi dhe Vjosa Osmani, do të diskutojnë lidhur me zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 dhe angazhimin e Zvicrës në Kosovë. Gjithashtu në listën e temave janë masat në luftën kundër COVID-19 dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Janë planifikuar gjithashtu vizita kurtoazie te Presidenti i Senatit (Dhomës së Kantoneve) Alex Kuprecht dhe te ministri i jashtëm federal, Ignazio Cassis.
Zvicra ka njohur Kosovën si republikë të pavarur saktësisht 13 vjet më parë, më 27 shkurt 2008. Si pjesë e bashkëpunimit zviceran me Evropën Lindore, shteti i ri është një nga vendet e trajtuara me përparësi nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (DEZA). Përveç kësaj, Forcat e Armatosura Zvicerane (Swisscoy) janë përfshirë në misionin për ndërtimin e paqes në Kosovë, që nga viti 1999.
Në qershor të vitit 2020, parlamenti zviceran miratoi vazhdimin e Swisscoy me 195 pjesëtarët e vet, deri në vitin 2023. Zvicra dhe Kosova janë, pra, të lidhura ngushtë në shumë nivele, sidomos falë diasporës së rëndësishme kosovare në Zvicër.
Vizita zyrtare tregon vullnetin e të dy vendeve për të forcuar këtë marrëdhënie dypalëshe gjithashtu në nivelin parlamentar, thuhet në fund të njoftimit nga Parlamenti i Zvicrës