Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka shënuar, sonte, fitore bindëse me rezultat 5:0, ndaj Burkina Fasos, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët dominuan në terren në ҫdo aspekt, nga fillimi e deri në fund. Serinë e golave e hapi Fidan Aliti, pas asistit nga Edon Zhegrova. Në minutën e 23-të, Kosova e dyfishoi epërsinë përmes Astrit Selmanit, i cili u shërbye nga Rashica. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, kurse e dyta ishte edhe më e mirë për vendësit. Mërgim Vojvoda shënoi për 3:0 në minutën e 53-të pas asistit të Milot Rashicës. Samir Ujkani e priti penalltinë e mysafirëve në minutën e 63-të, duke mos lejuar gol. Pesë minuta më vonë, shënon Milot Rashica. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 76-të të takimit, Toni Domgjoni realizoi për 5:0 duke e vulosur fitoren e “Dardanëve”.
Kosova takimin e ardhshëm miqësor do ta zhvillojë kundër Zvicrës.