20 VJET ALFABETI DHE FLAMURI KUQEZI BASHKOJNË BREZAT NË FAMILJEN E MADHE “ALBA LIFE”

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Keze Kozeta Zylo

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi. Fan Noli

Në Bronx, Staten Island, Brooklyn, Albany, etj jehona e gjuhës shqipe, dashuria për atdheun dhe krenaria kombëtare u bashkuan në një festë madhështore sepse Flamuri Kuq e Zi shpall vëllazërimin. Ja ashtu dore për dore nxënëset interpretojnë poezi, valle sepse Flamuri I bashkon si vellezer e motra në Familjen e Madhe “Alba Life”. Festa e Flamurit dhe Dita e Alfabetit u kremtuan me madhështi, emocione dhe krenari të veçantë kombëtare në të gjitha shkollat shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. Performancat e nxënësve ishin vërtete spektakolare! Fëmijët tanë shkëlqyen në skenë me recitime, këngë, valle dhe interpretime artistike të jashtëzakonshme, duke përcjellë emocione të forta dhe krenari të veçantë shqiptare.

Në këto veprimtari festive u recituan me emocion vargje nga poetët tanë kombëtarë, si Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Asdreni dhe figura të tjera të letërsisë shqiptare. Vargjet e tyre, plot atdhedashuri dhe frymë kombëtare, morën jetë përmes zërave të fëmijëve tanë.

U kënduan himnet kombëtare, u valëvitën flamujt kuqezi dhe u hodhën valle tradicionale shqiptare, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme festive. Çdo këngë, çdo recitim dhe çdo hap valljeje ishte një homazh për historinë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Dita e Alfabetit zuri një vend të veçantë në këtë kremtim. Përveç këngëve kushtuar Parashqevi Qiriazit, të cilat këndohen prej 20 vitesh në shkollat tona, një pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe interpretimi i poezive në nderim të Gjergj Fishtës, kryetarit të Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit. Përmes vargjeve kushtuar këtij kolosi të kombit dhe të letrave shqipe, nxënësit shprehën respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në historinë e gjuhës sonë.

Këngët dhe poezitë kushtuar figurave të shquara kombëtare janë kthyer në një traditë të bukur të shkollave tona, duke përcjellë ndër breza historinë, emocionin dhe krenarinë për identitetin shqiptar.

Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i shtruar me dafina! Ai ka qenë një rrugë e gjatë, e vështirë, e mbushur me sfida, sakrifica, mundime dhe pengesa të panumërta. Por me besim të palëkundur, vullnet të hekurt dhe durim stoik, kemi ditur të qëndrojmë, të përballojmë vështirësitë dhe të mos heqim dorë nga Misioni ynë Kombëtar ngase dashuria për gjuhën shqipe dhe atdheun është më e fortë se çdo pengesë!

Për 20 vite me radhë kemi ecur me dinjitet në këtë rrugëtim, duke mbjellë farën e gjuhës shqipe në zemrat e fëmijëve tanë. Pas çdo feste, çdo programi dhe çdo buzëqeshjeje të fëmijëve qëndrojnë orë të pafundme pune, përkushtim, sakrifica të heshtura dhe një durim i madh. Nuk kemi kërkuar dafina, por kemi besuar te misioni ynë, sepse e dimë se çdo shkronjë shqipe që mëson një fëmijë është një fitore e vogël për kombin dhe një urë e fortë drejt së ardhmes. Sakrificat harrohen, por gjurmët që lëmë në zemrat e brezave mbeten përjetë!

Një moment i veçantë dhe historik u shënua në Fidanishten Shqipe në Staten Island, ku u kremtua 20-vjetori i kësaj tradite të bukur, një rrugëtim i mbushur me dashuri për gjuhën shqipe, përkushtim ndaj fëmijëve dhe krenari kombëtare. Një mirënjohje e thellë shkon për mësueset: Entela, Elona, Fatlinda, Eriselda, Helena, Megi, Anisa, Ida, Brean, si dhe Lusiana dhe Aida, në rolin e asistentes, dhe të gjitha koleget e tjera që me profesionalizëm, durim dhe dashuri punojnë çdo ditë për edukimin e brezave të rinj.

Natyrisht pas çdo performance spektakolare qëndrojnë orë të tëra pune, përgatitjeje, përkushtimi dhe zemra të mëdha mësuesish. Mirënjohje për secilën prej tyre, për kontributin e çmuar në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar!

Mirënjohje edhe prindërve që besojnë tek shkollat tona dhe bëhen pjesë e këtij misioni të përbashkët kombëtar.

Këto festa nuk janë thjesht përkujtime historike. Ato janë mesazhe të fuqishme për brezat që rriten larg atdheut, por që në zemër mbeten gjithmonë shqiptarë.

Alfabeti i Manastirit na bashkoi në shkronja, poetët tanë na lanë trashëgimi fjalën e bukur shqipe, Flamuri Kuqezi na bashkon në zemra, ndërsa gjuha shqipe na mban të lidhur me njëri-tjetrin kudo që jetojmë!

Le të valëvitet përjetësisht Flamuri ynë Kuqezi dhe le të jehojë gjuha shqipe në çdo vatër shqiptare!

Gëzuar Festën e Flamurit dhe Ditën e Alfabetit!

RROFTË GJUHA SHQIPE!

RROFTË FLAMURI KUQEZI! /GD

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img