Sot bëhen 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Njoftimin për fillimin e fushatës ajrore, e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Sllobodan Millosheviqit. Cinton, në fjalimin e tij para popullit amerikan, pati njofuar se ishte vendosur që Aleanca Veri Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve dhe e ndërprerjes së katastrofës humanitare në Kosovë.
Operacionet e NATO-s, që zgjatën 78 ditë, përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake, e cila parashihte ndërprerjen e menjëhershme të dhunës, tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e një prezence efektive ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë.
Në shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të veçantë./Albswiss.com/