8 Marsi në Kosovë- Ditë për të festuar apo marshuar? – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Opinion

8 Marsi në Kosovë- Ditë për të festuar apo marshuar?

Florindë A. Abazi

“Burri vret gruan e tij me shufër metalike”, “Vritet një grua me nënshtetësi kosovare në Gjermani,dyshohet se u vra nga burri i saj”, “Një grua ka pësuar lëndime të rënda nga i shoqi”. Këto janë vetëm disa prej lajmeve që besoj secili prej nesh i ka lexuar, të paktën në rrjetet sociale.

Fatkeqësisht, këto janë veq një numër i vogël i këtyre rasteve, e bile të publikuara, pa i permend ato tjera raste të ngjashme si këto, e që nuk publikohen në media. Përpos vrasjeve, e pranishme në shoqërinë tonë është edhe dhuna, ngacmimet e cenimet prej më të ndryshmeve që i bëhen femrave.

Në shoqërinë tonë edhe nëse ne nuk i shohim ose nuk i njohim, ka shumë raste kur gruaja përjeton dhunë psikologjike,fizike e pse jo edhe seksuale prej bashkëshortit. Por, kjo nuk ndodh veq në familje,kjo ndodh edhe në rrethin më të gjerë të shoqërisë. Ngacmimet janë dukuria më e pranishme që bëhet kundrejtë femrave.

Rrugës prej vendit ku je e deri në shtëpi një femër përballet me dhjetëra ngacmime, prej ma të ndryshmëve. E mos harroni se edhe kjo është një lloj i dhunës. Edhe frika është dhunë. Unë nuk besoj se ka një femër që del në rrugë e nuk e ka një frikë nëse nuk do përballet me ngacmuesë prej më të neveritshëm. Përpos kësaj ka ende raste në familje kur femra nuk e ka të drejtën e shkollimit. Unë nuk po them se nuk ka ndryshuar kohërat, por kjo dukuri është ende e pranishme.

Më herët femrat sipas familjarëve më të moshuar duhet me e ndjek vetëm shkollimin fillor edhe me pretekstin “sa me dit me shkru edhe me lexu qaty,se kjo qikë asht,çka ka me lyp me shku në shkollë ma shumë!”. Tani, ka raste ende kur femra duhet me ndjek shkollimin deri te ai i mesëm,pastaj me u martu edhe me e kriju familjen e saj e me u kujdesë për të.

Veç shkollimit, një dukuri tjetër që kam filluar me dëgju shumë shpesh është tek puna e punësimit.

A e dini se në shumë vende ku kërkohej një punonjëse femër, duhesh të shkosh në takim pune edhe përpos intervistët ti duhesh të dukesh bukur dhe rëndësi ka më tepër trupi edhe pamja jote e jashtme? Ose gjatë CV që ti e duhesh ta punosh, duhet të dërgosh edhe dy ose tri fotografi tuat “pa filtera”. Pra, sipas kësaj ti je femër edhe ti duhesh me u duk bukur, duhet të kesh një pamje “hipnotizuese”, ose përndryshe, pavarësisht shkallës të profesionalizmit ose aftësive që posedon, fatkeqësisht nuk e fiton vendin e punës. Po e përmendi edhe një fakt tjetër që është ende i pranishëm në familjet shqiptare.

E drejta e pronës. Sa raste i keni dëgjuar kur babai “hisen” ia ka ndarë si djalit ashtu edhe vajzës? Shumë pak raste, e gati se hiq. Shoqëria jonë e rrethi ynë shoqëror është i tillë, që edhe nëse prindi dëshiron që të jetë i barabartë me fëmijët e tij,pavarësisht gjinisë së tyre, mentaliteti shoqëror e ndalon. E ndalon për shkak se njeriut të parë që i tregon për këtë gjë, ai ka me ardh menjëherë me frazën ” Qikës ia paske dhanë hisen e vet, ajo s’ka çka lyp aty ma.” Ka ende shumë dukuri rreth kësaj çështje, fatkeqësisht.

Por, diçka që është ende më e rëndë se kjo, është vetdijësimi i ulët. Femrat në përgjithësi tek ne kanë vetëdijen e ulët sa i përket këtyre çështjeve.

Barazia gjinore është shumë e rëndësishme në shoqëri. Frika me e denoncu burrin në polici për dhunë ose edhe “turpi” me i tregu botës për tmerrin që e përjeton,vjen deri te vdekja. E kjo gjë,por edhe të gjitha ato që i përmenda më lartë, ndodhin për shkak të mentalitetit të ulët.

8 Marsi nuk është ditë e nënës. 8 Marsi është dita kur femrat për herë të parë kanë kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre.

Në 8 Mars nuk duhet të festohet, duhet të marshohet për të drejtat e liritë që ty të cenohen. Kjo ditë shkon, përfundon,po dhuna e tmerri që e përjeton çdo ditë, mbetet e njejtë! Fol, mos hesht, se nuk është turp me i tregu botës se përjeton dhunë, ajo është skllavëri. Dhunuesi nuk të robëron, je ti ajo që e robëron vetvetën tënde! Kërko të drejtat e tua, ngrite zërin për padrejtësit që të bëhen!

Prandaj, mos e ngatërroni 8 Marsin me një ditë që duhet festuar, sepse kjo ditë është ditë për kërkimin e lirive e të drejtave tona! Ne duhet të jemi zëri i të gjitha atyre femrave e grave që sakrifikuan vetën për hirë të patriakatit!

Shkruan Florindë A. Abazi

Të ngjajshme

Çka quajmë Votë?

admin