Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne në shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së shtetit, ka thënë se pavarësisht dallimeve politike, sot shqiptarët bashkohen për të shënuar këtë ditë. Megjithatë, ai nuk është mirëpritur nga deputetët e opozitës të cilët e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Kurti ka shfrytëzuar seancën për pavarësinë, që të tregojë pak edhe për të arriturat që konsideroi se pati Qeveria. Ai përmendi krizën energjetike e pandeminë, si dhe shtesat për punëtorët.
“Kriza me pandeminë e energjinë kanë prekur çdo shtet dhe nxorën në pah mungesën e planifikimit tonë afatgjatë e investimeve strategjike. Prandaj duhet të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit me njëri tjetrin. Krizat kanë prekur të gjithë qytetarët. I di kushtet që jetojnë shumica e qytetarëve, i njoh brengat e tyre, shumica jetojnë nga muaji në muaj, e të shumtë jetojnë me dërgesa nga diaspora. Ishte kjo gjendje e qytetarëve dhe humbja në besimin e drejtësisë, ajo që solli ndryshimin e madh një vit më parë”.
“Falë luftës ndaj korrupsionit e krimit, Kosova është renditur e para dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit. Në rrafshin ndërkombëtar kemi thelluar bashkëpunimin me miqtë tanë duke forcuar sigurinë për qytetarët. Vitin që shkoi, Kosova ishte nikoqire me ushtarë. Kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë e brenda vendit dhe kemi ridenfinuar dialogun në Bruksel si dy shtete të barabarta dhe të përqendruar në njohje. Kemi ndryshuar praktikën e dëmshme që ishte në shkelje të rendit dhe Kushtetutës. Politika jonë është ajo e fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti teksa vazhdimisht është përcjellë nga diskutimet e opozitarëve të cilët nga ulëset e tyre kanë folur.

Ai pati disa fjalë edhe për mediat. Tha se nuk ka demokraci pa media të lira e të pavarura, duke shtuar se dezinformatat vijnë nga shërbime të jashtme.
“Si kryeministër e kuptoj se njerëzit do thonë lloj-lloj gjëra për mua, por unë do ta mbrojë këtë sepse lufta jonë për liri nuk ishte vetëm luftë për tu çliruar por për të jetuar të lirë. Për të ecur përpara na duhet një mendim praktik jo vetëm kritik. Duhet të gjejmë konsensus, dhe uniteti që nuk e pamundëson kritikën”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se lufta jonë ishte e drejtë dhe sipas tij asnjë gjykatë në botë nuk mund ta ndryshojë e as shtrembërojë këtë të vërtetë.
Konjufca ka thënë se Kosova duhet ta ketë forcën e vegjëlinë që ta gjejë rrugën e duhur.
Sipas tij, do të kujdesen për Pavarësinë për të përmbushur amanetin e të rënëve nëpër breza.





