Kurti: Vettingu duhet të nisë nga gjykatësit dhe prokurorët e niveleve të larta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i Vettingut duhet të fillojë nga lart poshtë.
Kurti tha se ky proces duhet të nisë me prokurorët dhe gjykatësit e niveleve të larta.
“Vettingu të fillojë nga lart poshtë. Të mos merret me prokurorët dhe gjykatësit e niveleve bazike, por të fillohet prej atyre që janë lart sepse vetëm në këtë mënyrë të gjithë zyrtarët do të bëhen pjesë e vullnetshme e këtij procesi”.
Ai, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, theksoi se Vettingu duhet të jetë një sistem që garanton qëndrueshmëri të drejtësisë.
“Padyshim që Vettingu nuk duhet të jetë një ngjarje e njëhershme por duhet të jetë një sistem që garanton qëndrueshmëri të zbatimit dhe ushtrimit të drejtësisë”.
I pari i ekzekutivit mori si shembull Shqipërinë, ku tha se në këtë proces ka pasur defekte por Kosova duhet t’i marrë mësimet dhe se nuk duhet t’i përsërisë gabimet.
“Unë pajtohem se ka pasur lëshime dhe defekte në Shqipëri. Por, kjo nuk do të duhej të na zmbrapste nga qëllimi ynë. Ne do të duhej të merrnim mësimet e lëshimeve dhe të mos i përsërisim”.
“Më mirë që në Shqipëri është bërë Vettingu sesa të mos bëhej. Kemi nevojë për ndihmën e profesionistëve dhe faktorit ndërkombëtar. Neve nuk na mungon vullneti që shprehet në mbështetje të ministres së Drejtësisë”.





