Gjenevë, Qershor 2025 – Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë u zhvillua një takim me rëndësi të veçantë, ku u mirëpritën z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Dr. Ditor Haliti, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe z. Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Komisionit Qeveritar.
Gjatë vizitës u zhvilluan bisedime të frytshme mbi përpjekjet aktuale dhe sfidat institucionale në zbardhjen e fatit të mijëra qytetarëve që ende konsiderohen të zhdukur me forcë që nga periudha e luftës në Kosovë. Kjo çështje mbetet një ndër plagët më të dhimbshme dhe më të pazgjidhura të pasluftës, jo vetëm për familjet e të zhdukurve, por për të gjithë shoqërinë kosovare.
Përfaqësuesit institucionalë shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar punën me seriozitet dhe ndjeshmëri të lartë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, organizatat humanitare dhe diasporën shqiptare. Në këtë kontekst, takime si ky në Gjenevë shërbejnë si urë lidhëse për avancimin e agjendës humane dhe ligjore në këtë fushë.
“Zbardhja e fatit të personave të zhdukur nuk është vetëm çështje humane dhe morale, por një detyrim ligjor e institucional për një shoqëri që synon drejtësinë dhe paqen e qëndrueshme,” u theksua gjatë takimit.
Në fund, përfaqësuesit e Konsullatës shprehën mirënjohjen për punën e palodhur të Komisionit dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke riafirmuar gatishmërinë e përhershme për të mbështetur çfarëdo iniciative që ndihmon në ndriçimin e kësaj çështjeje të rëndë për vendin dhe kombin./albswiss.com/