Në kuadër të angazhimeve për forcimin e lidhjeve me ndërmarrjet inovative në Zvicër, një delegacion vizitoi kompaninë Flux Mobility AG në qytetin Winterthur. Kjo kompani është themeluar në prill të vitit 2021 nga z. Dugagjin Hoti, një ndërmarrës nga mërgata shqiptare, dhe partneri i tij zviceran z. Bill Zollinger.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga z. Dugagjin Hoti, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë. Flux Mobility AG është një ndërmarrje që merret me zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve elektrike komerciale, të destinuara për përdorim urban dhe rural. Kjo kompani përfaqëson një shembull të suksesshëm të inovacionit dhe sipërmarrjes së qëndrueshme në sektorin e teknologjisë së transportit.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në këtë fushë, përfshirë risitë teknologjike dhe nevojën për transport të qëndrueshëm dhe ekologjik. Po ashtu, u theksuan mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, sidomos në drejtim të krijimit të urave mes mërgatës dhe institucioneve e bizneseve në Kosovë.
Republika e Kosovës disponon potencial të madh në fushën e teknologjisë, përfshirë infrastrukturën në zhvillim, si zonat ekonomike dhe parqet industriale e teknologjike. Këto mund të shërbejnë si platforma të rëndësishme për bashkëpunime konkrete në sektorin e inovacionit dhe prodhimit, duke sjellë përfitime të ndërsjella si për vendin ashtu edhe për mërgatën.
Ky takim është një dëshmi e rëndësisë që ka diaspora shqiptare në Zvicër si një urë lidhëse për zhvillim ekonomik dhe teknologjik, dhe një shtytës i fuqishëm i projekteve me ndikim pozitiv për të ardhmen./Alb’swiss TV/
📸 credits : v.g