Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve me institucionet lokale zvicerane, përfaqësues të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih zhvilluan një takim të rëndësishëm me Kryetarin e qytetit të Winterthurit, z. Michael Künzle.
Ky takim shërbeu si platformë e vlefshme për të diskutuar rolin e mërgatës shqiptare në jetën shoqërore dhe institucionale të qytetit, si dhe për të eksploruar mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si integrimi, kultura, arsimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Konsullata shprehu vlerësimin e saj për mbështetjen e dhënë nga autoritetet vendore dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të komunitetit shqiptar në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
Z. Künzle u shpreh i gatshëm për të avancuar bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave të mirëkuptimit dhe partneritetit mes qytetit të Winterthurit dhe komunitetit shqiptar që jeton e vepron atje.
Z. Vigan Berisha shprehi një falënderim i veçantë për mikpritjen dhe qasjen konstruktive të Kryetarit Künzle, që dëshmon edhe një herë vullnetin e ndërsjellë për bashkëpunim të ndërtuar mbi respekt dhe synime të përbashkëta./Alb’swiss TV/