Në Lozanë u organizua ceremonia përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, një prej tragjedive më të mëdha të historisë moderne evropiane. Ngjarja u organizua nga komuniteti boshnjak në Zvicër dhe mblodhi personalitete të shumta nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës së Lozanës, z. Grégorie Junod, Dr. Bashkim Iseni, drejtor i Zyrës për Integrim në Komunën e Lozanës, z. Musa Kamenica, nënkryetar i Kuvendit Komunal të Lozanës, si dhe z. Ramiz Salkić, ish-president i Republikës Serbe në Bosnje. Të pranishëm ishin edhe figura të njohura nga arti dhe kultura.
Me këtë rast, z. Fehim Abazi, së bashku me bashkëshorten e tij Enisën, morën pjesë në organizimin dhe mbajtjen e kësaj ngjarjeje përkujtimore, duke e vlerësuar si një përgjegjësi të madhe dhe nder të veçantë.
Veçanërisht prekëse ishte pjesëmarrja e të mbijetuarve të masakrës, të cilët ndanë me të pranishmit përjetimet e tyre rrëqethëse. Dëshmitë e tyre shërbyen si një kujtesë e fortë për të gjithë – se Srebrenica nuk duhet të harrohet kurrë.
“Kujtesa jonë kolektive është detyrim ndaj viktimave, ndaj historisë dhe ndaj brezave që vijnë – për të mos lejuar që mizori të tilla të përsëriten ndonjëherë”, theksoi Fehim Abazi gjatë fjalës së tij.
Në përfundim të ngjarjes, pjesëmarrësit u lutën për shpirtin e viktimave, me shpresën që një histori e tillë dhimbjeje të mos përsëritet më kurrë./Alb’swiss TV/